SHKRIMTARI YNË I NDERUAR, ISMAIL KADARE
Jam rritur e frymëzuar nga veprat e Tua, pa të parë nga afër, e pa të përshëndetur, por duke të lexuar e, duke u përmbushur shpirtërisht përkundër pamundësisë për t’u takuar edhe fizikisht.
Si gjimnazist i qytetit tim, Gjilanit, pata shkruar një vjershë për Ty, n’atë vogëlsinë time të atëhershme dhe ajo, për fatin tim të mirë, u pat botuar me pak shkurtime, në gazetën e përditshme të Kosovës, RILINDJA, e cilla tash, ka kohë që nuk botohet.
Kur isha student i Fakultetit filozofik, dega e letërsisë dhe gjuhës shqipe, më 1980, Ti erdhe në Kosovë dhe, në kryeqendrën tonë, Prishtinën dhe, ne, një grup studentësh, erdhëm dhe iu takuam në hotelin GRAND, duke ia ditur për nder shkrimtarit Mirko Gashi, i cili i tha recepcionistit, ” o le t’vijë Ai këtu poshtë, o po shkojmë ne atje lartë”.
Dhe ju zbritët bashkë me Helenën dhe mikun tuaj që tash si Mirkoja, i takon amshimit, Azem Shkrelin.
Ndenjëm e u çmallëm me Juve, për sëpaku gjysmë ore. Anise, ajo dëshira jonë për një Mbrëmje me shkrimtarin KADARE, në hapësirat e fakultetit tonë nuk u përmbush, aspak nuk u zhgënjyem nga Ti… a, nga të Tjerët që s’mund të dilnin nga Protokolli i vizitës Sate, po …
Megjithatë, shfrytëzuam atë takim për fotografi, dy filma me nga 36 poza i mbushëm, por, në një studio fotografike, aty afër hotelit, “dolën” të djegura. Se si e qysh, një Zot e di, por ne dyshonim se në djjegien e tyre, ( tash pa thonjëza ) kishte gisht UDB-ja serbe që na vështronte përmes piujve të saj, kahdo që lëviznim, a frymonim.
U dëshpruam vetëm nga ai akt qyqar, por ç’e do …
Pas disa muajve, në Pranverën e vitit 1981, ndodhi ajo që ndodhi …. dhe, shumëçka ndryshoi mes nesh.
Fatmirësisht, Ti, nuk na harrove.
Përmes valëve të Radio Tiranës së asaj kohe, ne i dëgjuam përshtypjet e Tua për Kosovën dhe, veçmas për Shpellën e Gadimes. dhe, jetonim me to, mbusheshim energji e, vazhdonim ecjen vertikale, qëndresën…
Kur po vuaja brenda grilave, në Burgun e Prishtinës ( që tashmë po kthehet në Muzeun e ruajtjes së vuajtjeve dhe maltretimeve tona deri në martirizim për lirinë e Kosovës ), në verën e atij viti, prapë s’mbeta pa Ty.
Nën dyshekun e një krevati prej hekuri, një profesor i asaj kohe, që ishte gjendur në dhomën numër shtatë, ( Isa Demaj ) i kishte ndarë prej gazetës RILINDJA, një për një, vazhdimet e romanit PRILLI I THYER, i kishte lexuar sa herë dhe, ashtu të paluara, i kishte lënë aty nën dyshek, e të cilat i pashë dhe, për dy javë isha me ty, duke i lexuar nga dy e dy për çdo ditë, anise mund t’i lexoja dhe për dy ditë… po ç’të bëja pastaj?
Falë atyre copëzave të gazetës, për dy javë unë harrova ku ndodhesha, sepse isha brenda atyre ngjarjeve, sa rrënqethëse, sa reale e, poaq dhe artistike që më bënë për vete me ashpërsinë dhe jetën e rëndë të Veriut shqiptar, i cili assesi të çlirohej nga kthetrat e hakmarrjes.
Vite më vonë, udhëve gjysmëlegale, na erdhi tregimi yt BALADË PËR VRASJEN E J. G, e cila i dha hov, ritmit tonë për liri e pavarësi.
Nuk munguan shumë ato vite, e, na erdhën, ashtu si erdhën, edhe KRUSHQIT JANË TË NGRIRË, TRI KËNGË ZIE PËR KOSOVËN …. e tituj të tjerë të rinjë, që ne i lexonim thuaja me një frymë, nga frika se mos mbesnim pa to, se mund të na i merrte Ajo Korba Famëkeqe që e përmenda më lart.
Gjatë viteve të nëntëdhjeta, isha nja katër – a pesë herë deri në Tiranë, po Ti, s’ishe aty. Të kish rrëmbyer Parisi dhe, nga andej na vije po përmes librave, si në vitet tetëdhjeta, nga Tirana, përmes ajrit e frymës sate nëpër libra dhe, dashurisë që shtohej e shtohej për artin që na e falje përmes shpirtit Tënd prej Njeriu e shkrimtari.
Në kohën e luftës së Kosovës, Ti ishe zëri ynë, kudo që ndodheshe, zëri më autentik i Kosovës, sikur t’kishe jetuar gjithë kohën me ne.
Natyrisht, edhe pjesë e asaj lirie që erdhi dhe e gëzojmë sot.
Andaj, s’vonove dhe erdhe në Prishtinë, në një Panair libri, që ish dhe Panairi i parë në liri.
Nuk t’u afrova, të kundroja nga një afërsi jo dhe aq e largët. Se, si ta prekja, si ta përqafja shkrimtarin të cilin e kisha adhuruar deri në hyjni.
E, a preket Hyji Yt ?
Jo…
Se, kisha drojë që më prishej krejt ajo Kullë adhurimesh që e kisha ngritur nëpër vite.
Para pak muajsh, kur erdhëm në Tiranë, përkatësisht në një pjesë të Kosovës që nuk ndodhet dhe aq larg teje, nuk “guxova” të të afrohem më shumë, pikërisht që t’mos mbesja pa atë Hyjin që e kisha krijuar përmes ëndërrimeve të mia, që kur e kisha lexuar romanin “KRONIKË NË GUR “, Gjeneralin e … gjithë të tjerët që erdhën varg e varg.
Nuk doja as ta merrja fjalën, po një mik i përbashkët yni, ambasadori i Kosovës në Tiranë, Skënder Durmishi, më ftoi dhe, nuk mund t’i thoja “s’po flas”, nga respketi, edhe për Të dhe krejt ato që i ka bërë për Ty…plus, nderimi që pata fatin ta realizonim: dhënien e Çmimit letrar “Beqir Musliu”, çmim që jepet për vlera të mirëfillta letrare dhe, Ti u ndjeve aq mirë sa e shprehe me fjalët që u shqiptuan nga buzët Tua: Kjo është një orë e lumtur për mua.
E, si mos të flisja pastaj, unë?
Fola… po nuk e di çka fola. Mbase dhe diçka prej këtyre që i shkrova…
Para pak ditësh mora vesh se do t’vije këto ditë edhe në qytetin tim, në kryeqendrën e Kosovës Lindore, Gjilanin, prej nga dolën shkrimtarë si Beqir Musliu, Mirko Gashi, Musa Ramadani… e të tjerë, por edhe luftëtar e trima si Idriz Seferi, Mulla Idriz Gjilani, Agim Ramadani…. e plot e plot burra, gra, tri e të reja që punuan e u angazhuan për këtë vend dhe, breza të rinj që po vijnë.
Ndihem i lumtur, se, sadopak, komuna ime, qyteti im, po bën diçka për Ty, e që është e vockël, shumë e vockël nga ajo që na dhe e po na e lë si trashëgimi.
Po Ti, shkrimtari im, prapë po bën më shumë për ne: po e nderon një Manifestim kombëtar kulture, “Flakën e Janarit”, që ju përkushtohet gjithë martirëve, dëshmorëve e herojve të kombit si dhe figurave të shquara të hapësirës shqiptare, që dhanë gjënë më të shtrenjtë për këto troje iliro- dardane.
Ky nderim Yti, ka peshë të rëndë dhe është aq i vlefshëm, sa dheu i kësaj Toke.
Sot, në Ditëlindjen Tënde, ç’të them, përpos fjalës: Gëzuar ?
Hë…?
Pos: t’paçim mes nesh, e nëpër brezat e kësaj kohe, e kohëve që do t’vijnë, përgjithmonë…
Sabit RRUSTEMI
Rrezja e Çepurit/ Zhegër, 28 janar 2024