Aktivisti i shoqërisë civile, Amir Jakupi pret që më 22 tetor Kamenica të ketë një hartë të re elektorale, por pohon se rezultati si asnjëherë më parë do të jetë i paparashikueshëm.
“22 tetori nuk do të jap rezultat. Për ta mësuar emrin e kryetarit të ri të Kamenicës duhet një raund tjetër garues. Balotazhin s’e ka të sigurt asnjë parti. Prej gjashtë kandidatëve për kryetarë katër janë pretendentë për balotazh – dy janë të papërfillshëm”, ka theksuar Jakupi.
Sipas tij më 22 tetori do të sjell shembje të bastioneve. “Nuk do të ketë më hambar votash, ku një fshat i caktuar mund ta rrëzojë rezultatin në nivel komunal”.
Jakupi thotë se rezultati do të jetë i paparashikueshëm edhe për faktin se pesë kandidatët për kryetar komune nuk janë testuar më parë në elektorat. “Ndryshime priten, por inercion 11 qershori jo”.
Jakupi iu ka bërë thirrje kandidatëve të mos bëjnë premtime megalomane dhe të parealizueshme, në prag të datës së zgjedhjeve. “Kandidatët duhet ta kenë parasysh buxhetin e vogël komunal, të hyrat e pakta dhe mundësitë minimale për të sjell investime të huaja”.