Nuk janë të pakta rastet kur ndiejmë se i kemi flokët si kashtë apo lëkurën tepër të thatë. Mos kujtoni se i gjithë faji është i diellit, jo!
Ka një sërë faktorësh verorë të cilët ndikojnë, madje mund edhe të na e përkeqësojnë shkallën e hidratimit në lëkurë e flokë.
Ajri i kondicionuar
Ajri që prodhon kondicioneri është veçanërisht i thatë dhe mund të shkaktojë një dehidratim të shtresës sipërfaqësore të epidermës dhe flokëve. Shmangeni sa herë që të keni mundësi.
Era
Ditët me erë nuk janë edhe aq të rralla në verë. Ky faktor atmosferik ndikon ndjeshëm mbi flokët tona duke shkaktuar thatësirë si dhe duke krijuar ndarje tek majat.
Ekspozimi në diell
Rrezet diellore ndikojnë në nxirjen e lëkurës dhe hapjen e ngjyrës së flokëve, por sa keq që janë edhe faktor kryesor i thatësirës dhe dehidratimit të tyre. Shmangni ekspozimin për një kohë të gjatë në diell, sidomos gjatë orëve të mesditës.
Kripërat
Ka disa persona të cilëve u pëlqen ndjesia e kripës në flokë. Megjithatë, kripa që përmban uji i detit i dëmton së tepërmi flokët, i than dhe shkakton plasaritje në skalp.
Klori
Tregoni kujdes edhe në pishinë. Veprimi i klorit në kontakt me flokët tuaj i dobëson ato, madje është edhe faktor acarrimi për lëkurat e ndjeshme.
Bojërat
Nëse i lyeni flokët rregullisht, sidomos me ngjyra të hapura, ju duhet ta dini mirë se rrezikoheni prej flokut të thatë në maja e në skalp, pranë rrënjës. Në verë, ky problem ka tendencën të zgjerohet prandaj ju këshillojmë të përdorni ngjyra më të ëmbla e delikate, të buta, por që ta realizojnë mbulimin e thinjave.
Djersitja
Temperaturat e larta e detyrojnë trupin të djersitet. Kur kjo ndodh, na duhet të kompensojmë organizmin duke pirë sa më shumë ujë e lëngje për të shmangur tharjen e lëkurës dhe flokëve. Duhet të tregojmë kujdes edhe pas përfundimit të plazhit, në muajin shtator.