Në Galerinë e Arteve në Ferizaj u mbajt takimi final i edicionit të shtatë të konkursit të poezisë “Ora e Astritit”.
Në këtë konkurs tradicional, që mbahet në kujtim të poetit dëshmor Astrit Bytyçi, këtë vit juria profesionale prej rreth 70 poezive të dërguara, përzgjodhi 33 si më të realizuara, për orën finale.
Vlen të theksohet që autorët e poezive ishin nga të gjitha trojet shqiptare, ndërsa ata që ishin të pranishëm në takimin e sotëm i lexuan poezitë e tyre. Aktiviteti u ndoq me interesim nga mysafirët adhurues të fjalës së bukur dhe përveç tyre në këtë takim ishin të pranishëm edhe familjarët e poetit dëshmor Astrit Bytyçi.
Juria e përbërë nga: Kemajl Aliu – poet, ish-kryetar i klubit “De Rada”, Sabit Rrustemi – shkrimtar, botues, kryetar i Ars Klubit – Gjilan dhe Shkelzen Halimi – redaktor në gazetën elektronike për art dhe kulturë “Hejza”, fitues të këtij edicioni u zgjodhën:
Çmimi i parë:
Xheladin Rexhepi me poezinë ‘Gjinestra’ dhe Sabit Bajraktari me poezinë ‘Kujtimet e fundit’
Çmimi i dytë:
Halil Matoshi – me poezinë ‘Trishtuem’
Çmimi i tretë: Oriada Dajko me poezinë ‘Tanimë jemi shumë të vjetër për t’u kthyer në shtëpi’ dhe Rei Hodo me poezinë ‘Mrekullia e heshtjes’
Sipas organizatorit, dyfishimi i çmimeve (I dhe III) u bë për nder të 150 vjetorit të themelimit të qytetit të Ferizajt. Çmimi i parë fituesve iu dorëzua nga vëllai i dëshmorit Astrit Bytyçi dhe nipi i tij, Astriti i vogël.
Gjithashtu, për të gjithë pjesëmarrësit u ndanë edhe mirënjohje, ndërsa versioni elektronik i broshurës me poezitë e orës finale do të publikohet në faqen e klubit “De Rada”.
Vlen të theksohet se ky aktivitet i klubit “De Rada” është mbështetur nga Komuna e Ferizajt, gjegjësisht Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport.
/Klubi Letrar “De Rada” – Ferizaj/
Poezitë që u vlerësuan me çmimin e parë:
GJINESTRA*
Xheladin Rexhepi
mërguan arbëreshët me kokat nënsjetull
mërguan arbëreshët me Gjinestra nën kry’
ishte Mot me shi dhe trishtim
me unat e shtëpive të djegura si kryq shpirti
kalëronin shkumën e valëve të çmendura
brigjet e detit i lidhnin me strofa kangjelesh
me këmishat e përgjakura të natës
mbështollën malëbrezat e gjëmave të Jonit
në çarçafët e kaltër shtruar me ujë kripe
fjetën kopilët/* si engjuj të përgjumur
Peshkaqenët ninullat i varrosnin me dhe algu
Funddetin e kuq Funddetin e zi
në Zallin e Moresë mbuluar me Hije ere
vetëm Gjurmë fërkemash këmbēzbathyr
Degëve të pemës së Thatë vaj i zogjve të mallit
Udhë e gjatë për teh hëne netëve kalabreze
flas me vetvete heshturazi përçartë
ku të të gjejë “o Illi im i bukur” për paqe në qiell
Afërditë kaosmosi e Gurëve të rrokullisur
Kokërr oksigjeni në Shegën e gjakut tim
Kishat e shpirtit i dogja si çirinj
u bëra lutje e shkruar në avullin e Gurtë të psalmit
me gjakomë arbërisht/* e mos me harrue
preka zemër të përvëluar Nëne aromë Gjinestre
në saksitë e ftohta të kujtimit
duar të çara arave me hardhi si Gjak i Shprishur
kore e Bukës së pjekur në prush me Magmë Etne
vlon Mot i Madh vlon matanë detit në Arbëri
dhe çelin Flokëverdhat e dheut me profil Dimri
Ullinjë me rrënjë të pashkulura kepave të Etjes
……..
- Gjinestra është një lule karakteristike që rritet vetëm në katunder e arbëreshëve në jugun e Italisē
2.Kopilët – fëmijët - Me gjakomë – me folē..
KUJTIMET E FUNDIT
Sabit Bajraktari
Me shpirt u mundova t’ia jepja zemrën
A dalim vrapojmë pak o babë – i thashë
Buzëqeshi teksa pëshpëriti Ah! More biri im…
Dhe shau nëpër dhëmb
S’e di nëse më shau mua
Apo jetën që e kishte mashtruar me kurthet e saja
Edhe pse mendojmë si unë si Ai
Kurrë jetës nuk i kemi besuar
Për vdekjen më mirë të mos flasim
Kur u shtri në shtrat që tashmë i ishte ngjitur për trupi
Ia dhashë ngadalë një kokërr Therdor një Aldizem dhe një Carvaxyl
Dhe në fund Vitamin every day 2×1… ora ishte fiks dhjetë
Dola në oborr
Ndeza radion
Në nënkulmin e pusit tymosa tri cigare njëra pas tjetrës
Derisa mjegulla e shpirtit m’u bë se u kthjellua tërësisht
Lëshova muzikën e Ludovico Einaudi – Una mattina
Pastaj zbrita thellë në kujtimet e mia të bëra asht e lëkurë
U ula te hija e ftoit qava teksa nana bënte gati pite për drekë
Ndërkohë i shemba fshehurazi pesë gota raki të Suharekës
Shoqëruar me cicërimën e zogjve të verës
Që sapo kishin mbërritur në shpirtin e ylbertë të stinës
Gjersa koha shkrihej si gjalpi në tigan
Babai filloi ta ndiente ngadalësimin e frymëmarrjes
Dera kishte pësuar plasaritje
Të trishtuar të humbur në mendime të ftohta
Shikonin me urrejtje mysafirin e zi i cili ishte bërë gati për sulm
Nën kulmin e kuq jeta qe mbështjellë me një grusht vetmi
E cila sikur priste çastin e duhur për të eksploduar
Që t’na lëndoi e t’na vriste të gjithëve me trishtim e mërzi