Ministrja e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike, Rozeta Hajdari, ka mbajtur sot konferencë për media, duke e njoftuar opinionin dhe bizneset për udhëzimet e reja që janë ndërmarrë për shkak të virusit COVID-19.
Ministrja Hajdari ka theksuar se janë marrë masat e nevojshme lidhur me situatën e krijuar nga shpërndarja e pandemisë COVID-19 dhe në këtë drejtim janë angazhuar veçanërisht Departamenti për Mbrojtjen e Konsumatorit, Departamenti i Rezervave Shtetërore, Inspektorati i Tregut dhe Inspektorati i Punës.
“Nga Ministria e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike – MEPTINIS, me datën 12 mars 2020, sipas ligjit për Tregti të Brendshme, neni 50.2, ne kemi nxjerrë një Urdhëresë me të cilët janë obliguar operatorët ekonomikë që të mos i ngritin çmimet dhe nga e cila urdhëresë është vënë në funksion Inspektorati i Tregut, duke sjell informimin nga terreni dy herë në ditë, dhe e mira është se çmimet janë nën kontroll. Ndërsa, për zbatimin e mirëfilltë të vendimit të Qeverise, të datës 13 mars 2020, kemi ofruar udhëzime dhe informata nga Inspektorati i Tregut dhe Inspektorati i Punës duke i përcjellë këto udhëzime e sqarime me shkrim edhe në media, të cilat janë përditësuar gjatë fundjavës – e shtunë, e diel, sipas informatave të marra nga inspektorët komunalë dhe pyetjet e shtruara nga bizneset dhe qytetaret”, ka thënë ministrja Hajdari.
Ministrja ka bërë të ditur se duke filluar nga pranimi dhe adresimi i ankesave të konsumatorëve, qendra e thirrjes pranë Departamentit të Mbrojtjes së Konsumatorit është në dispozicion gjatë gjithë kohës dhe ka pranuar afërsisht 1000 thirrje të cilat i janë adresuar institucioneve relevante të zbatimit të ligjit.
“Kryesisht ankesat kishin të bënin me ngritjen e çmimeve në mënyrë të menjëhershme dhe pa kritere (në veçanti atyre ushqimore). Po ashtu edhe Inspektorati i Punës është në terren dhe i sjellë raportet dy herë në ditë”, theksoi ministrja.
Ministrja ka treguar edhe për mbikëqyrjen e tregut të mallrave nga Inspektorati i Tregut, që ka kryer inspektime në 900 subjekte afariste.
“Nga këto kemi gjetur mbi 30 shkelje kryesisht të natyrës së ngritjes së çmimeve. Për të adresuar këto shkelje janë ndërmarrë masat sipas legjislacionit në fuqi”, ka thënë ministrja.
Ndërsa sa i përket mbikëqyrjes së tregut të punës, ministrja ka thënë se Inspektorati i Punës ka kryer 350 inspektime.
“Shkeljet janë hasur kryesisht në mungesë të pajisjeve personale mbrojtëse, pastaj edhe në dezinfektim të hapësirave dhe dendësi të punësuarve, duke mos respektuar distancën e rekomanduar. Për të adresuar këto shkelje janë ndërmarrë po ashtu masat sipas legjislacionit në fuqi”.
Ministrja bëri të ditur se ka urdhëruar angazhim të kapaciteteve shtesë të zyrtarëve me qëllim të mobilizimit sa më të mirë.
“Shfrytëzojmë rastin t’i falënderojmë inspektoratet komunale për bashkëpunimin dhe mbështetjen e treguar’’, tha ministrja Hajdari.
‘’Ndërsa, me Departamentin e Rezervave Shtetërore, këtu në ministri, ne veçse kemi bërë planin për rezerva shtetërore dhe e kemi paraqitur te Ministri i Financave dhe Transefereve, në javën e kaluar, e cila kërkesë do të shqyrtohet tani pas miratimit të buxhetit 2020”, tha ministrja Hajdari.
Ministrja theksoi se dëshirojmë t’i konfirmojmë qytetarët që rezervat shtetërore të mallrave janë të ruajtura në depot tona, të cilat janë të kompletuara nga aspekti sasior dhe cilësor, sipas njoftimit nga drejtori i Departamentit të Rezervave Shtetërore. “Kryesisht rezerva ka për mallrat, si: gruri, mallra agro-ushqimore, nafta dhe barna”.
Ministrja informoi mediat se janë në kontakt të vazhdueshëm me ndërmarrjet publike qendrore dhe operatorë të tjerë që ofrojnë shërbime themelore, duke përfshirë energjinë dhe telekomunikimin.
Ministrja tha se me urdhëresa nga ministria, kanë kërkuar nga operatorët përgjegjësi të plotë, në mënyrë që të plotësohen nevojat e qytetarëve. Lusim edhe qytetarët që t’i kryejnë obligimet ( duke përfshirë këtu pagesat ne shërbimet themelore, uji, energjia dhe të tjera)”, theksoi ministrja.
“Natyrisht, po marrim masa edhe për mbrojtjen e shërbyesve civilë dhe të punëtorëve në sektorin publik’’ shtoj ministrja.
Ajo bëri të ditur se aktualisht janë duke u takuar me:
1) KEK, KEDS, KOSTT për të diskutuar se çfarë masash kanë ndërmarrë apo sa janë mobilizuar lidhur me menaxhimin e situatës
2) Ndërmarrjet Publike që ofrojnë shërbimet publike si furnizim me ujë, ngrohje dhe mbledhje mbeturinash dhe shërbime tjera publike
3) Bizneset/përmes odave dhe asociacioneve
Ministrja theksoi se sipas gjendjes se vlerësuar do të veprohet në kohë me vendimet dhe urdhëresat konkrete për ministrinë, si dhe me propozimet konkrete për qeverinë.