Kryetari më i ri për nga mosha, i një subjekti politik në Republikë të Kosovës, është Kushtrim Kadriu. Ai ka lindur në gusht të vitit 1991 dhe që nga qershori i vitit 2016 është kryetar i Lëvizjes Qytetare “Vatra”. Pra, me moshën 25 vjeçare, ai thotë të jetë aktualisht kryetari me i ri i një subjekti politike në tërë Kosovën.
Kadriu angazhimin e tij në shoqërinë civile e filloi në vitin 2005 duke qenë kryetar i “Shoqatës për mbrojtën e drejtave të nxënësve të Gjilanit” , pastaj kryetar i komisionit për të drejtat e nxënësve në Gjimnazin “Zenel Hajdin” , e jetën politike e ka filluar në vitin 2007 në RDK. Në vitin 2009 iu bashkua “Vatrës” duke qenë aktivist, anëtar i kryesisë, zëdhënës , e nënkryetar nga vitin 2015 gjerë në qershor të 2016, ku u zgjodh kryetar i Lëvizjes Qytetare”Vatra”.
Kadriu në organet komunal të Gjilanit nga dhjetori i 2014 ka drejtuar me Zyrën për Preshevë, Medvegjë, Bujanoc pranë zyrës së kryetarit të Gjilanit, Lutfi Haziri, duke qenë koordinator i parë i kësaj zyre, si dhe ka qenë anëtarë në komitetin e kadastrës së Gjilanit gjerë në dhjetor të 2015, pastaj nga 2015 është zgjedhur kryetar i Komitetit për Bashkëpunim Ndërkufitarë të Komunës së Gjilanit”.
Kadriu thotë se nuk është e lehtë të jesh kryetar i një partie politike, veçanërisht në një moshë të re, por më e vështirë, sipas tij, ka qenë që të marrësh përgjegjësi pasi ka shumë prej tyre që janë të përfshirë në politikë e që bëjnë pengesa për të rinjtë duke ju thënë atyre se “jeni e ardhmja”, me çka nënkuptohet se duhet prit të ardhmen.
“Unë kam pas në mendje që ne duhet të jemi e tashmja dhe të ndërtojmë të ardhmen pasi që në të ardhmen ne kemi për të jetuar më gjatë se gjeneratat e vjetra. Kam marr obligime pasi që kam pa qasjen e gjeneratës së vjetër duke tentuar të mbijetojnë në kurriz të punës së gjeneratave të reja”, ka thënë Kadriu i Vatrës.
Sipas tij, të rinjtë duhet që një herë e mirë, të vetëdijesohen se para se gjithash janë e tashmja, dhe duhet të marrin përgjegjësi dhe të hedhin në pension politik gjeneratën e vjetër, me qëllimin e vetëm që të heqin mentalitetin komunist të së shkuarës socialiste, e të ndërtojnë një mentalitet të ri evropian, një mentalitet pa xhelozi e inate të kohës së shkuar.
“Të rinjtë duhet të mos bëhen vegla, por të bëhen vendimmarrës të politikës, nëse kanë vendosur që të merren me të”, ka thënë Kushtirm Kadriu, kryetar i Lëvizjes Qytetare “Vatra” me seli në Gjilan.