Përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje, Qendra në Gjilan, sot përmes një konference për media edhe njëherë kanë kritikuar raportin njëvjeçar të punës së kryetarit të komunës, i cili u miratua në seancën e fundit të kuvendit komunal, duke treguar se pse anëtarët e Kuvendit nga radhët e Vetëvendosjes ishin kundër edhe me votë, të një raporti, që ata e quajtën “një raport i dobët i punës”.
Nevzad Isufi, shef i Grupit të Këshilltarëve të Vetëvendosjes në Kuvendin Komunal të Gjilanit, ka thënë se përherë kanë kërkuar që raportimeve 6 mujore e njëvjeçare të punës t’u kushtohet më shumë kujdes dhe seriozitet, por pozita dhe vet ekzekutivi nuk qajnë kokën për këtë, pasi që për çdo çështje që duhet të votohet, në radhë të parë sigurojnë votat, kuptohet pa filluar Kuvendi e pastaj e sjellin gjoja në Kuvend për ta diskutuar. Diskutimi i pozitës në raste të tilla është i shkurtë me epitete e elozhe dhe gjithsesi me aprovim.
“Ndonëse Kryetari i Komunë z. Lutfi Haziri me një përvojë të gjatë në politike, por edhe me një përvojë të disa mandateve në qeverisjen e komunës së Gjilanit, në vend se të jetë më i përgatitur e më i përgjegjshëm, ai gjithnjë e më shumë po jep shenja të injorimit të të gjithëve në Kuvend. Ai, si edhe shumë herë të tjera, nuk priti as votimin e raportit të tij dhe pa asnjë arsyetim lëshoi seancën e Kuvendit. Por për mua personalisht është brengosëse, por kjo duhet të jetë brengosëse edhe për qytetarët, të cilët tashmë për së dyti kanë votuar të njëjtin, ndërsa ky deri sa të merr votën e qytetarëve është në gjendje të jap çdo premtim, por në momentin që merr votën s’do të dëgjojë më për asgjë deri në mandatin tjetër të zgjedhjeve”, ka thënë Isufi.
Ai tha se për të dhe për anëtarët e Lëvizjes ky është mandati i dytë në Kuvend, por raport më të dobët pune se këtë të vitit 2017, nuk kanë parë. Por se kjo nuk është me e keqja, sa është brengosës komoditeti, mos kokëçarja, indiferenca e disa anëtarëve të Kuvendit nga pozita por edhe disa anëtarëve të ekzekutivit, përfshirë këtu edhe Kryetarin, se pavarësisht fakteve që mund të paraqes dikush dhe sado bindëse e të kapshme të jenë ato, vazhdojnë të mbrojnë vetëm versionin e tyre, qoftë edhe të gabuar.
“Në këtë raport të punës njëvjeçare të kryetarit, do të thosha ka gabime të mëdha, pasaktësi e kopjime sa që mua është e pa imagjinueshme të aprovohet dhe votohet si një raport normal dhe i rregullt. Ky raport u aprovua me 22 vota për, ndërsa kundër ishin 13 vota të partive opozitare Vetëvendosje dhe PDK –ës”, ka thënë tutje Isufi i Vetëvendosjes.
Ai ka komentuar pastaj raportet në drejtori përkatëse ku sipas tij ka mjaftë gabime e pasaktësi, që Isufi i ka cilësuar si disa nga format e përpjekjeve për mashtrim si për anëtarët e kuvendit, ashtu edhe për qytetarët. Si shembull ai është ndalë te raporti i Drejtorisë së shëndetësisë dhe mirëqenies sociale ku ka mospërputhshmëri të shifrave kur janë në pyetje pagesat e realizuara. Po ashtu vërejtje pati edhe te Zyra e kryetarit.
Në këtë raport ka edh plot raportime të gabuara e shënime false e të kopjuara nga raportet e viteve të mëparshme, sidomos nga viti 2016, ka thënë tutje Isufi, duke marr shembuj konkret në Drejtorinë e Arsimit
“Ka plotë fakte që kemi prezantuar edhe në Kuvend, të cilat e bëjnë skandaloz këtë raport të punës njëvjeçare të Kryetarit, dhe edhe kolegët patën edhe plotë vërejtje të tjera përmbajtëse. Dhe për fat të keq të të gjithë neve si qytetarë, ky raport si i tillë aprovohet. Për këtë edhe po reagojmë, ndonëse nuk jemi ekspert të statistikave e ekonomisë, por kjo nuk do të thotë që e hamë sapunin për djathë”, ka thënë Isufi.
Edhe Arbëreshë Kryeziu – Hyseni, anëtare e Kuvendit nga radhët e Vetëvendosjes, tha se dëshiron të japin arsyet pse nuk e votuan raportin njëvjeçar të punës së kryetarit të komunës, duke shtuar se ai ishte një raport sipërfaqësor, pa të dhëna të sakta, pa sqarime të domosdoshme, sidomos për mjetet e shpenzuara.
Ajo tha se në seancë ngirtën shumë çështje, shprehën interesimin e tyre përmes shumë pyetjeve të parashtruara dhe se presin përgjigje.