Asnjë parti nuk e ka marrë në konsideratë ofertën publike të PDK’së për të bashkë qeverisur në një Qeveri gjithëpërfshirëse. Ahmet Isufi i AAK’së thotë se edhe pa PDK’në Qeveria e ardhshme LDK-AAK-NISMA do të ketë shumicën e partive politike të shumicës shiptare si dhe të pakicave.
LDK, AAK dhe NISMA kanë vendosur të mos e marrin fare në konsideratë ofertën publike të PDK’së për formimin e një Qeverie gjithëpërfshirëse. Pas LDK’së e cila përmes Sekretarit Ismet Beqiri u deklarua se nuk vjen në ka kurrfarë mundësie të ketë një bashkëqeverisje me PDK’në, edhe AAK ka dalë me të njëjtin pozicion.
Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmet Isufi, ka thënë për Express, se PDK’së askush nuk i beson pasi ka ndërtuar praktika të këqija për dy mandate sa ka qeverisur me Kosovën.
Sipas tij, tashmë ekziston formula për formimin e Qeverisë gjithëpërfshirëse edhe pa PDK’në.
Sipas tij, Qeveria që do të formohet nga LDK-AAK-NISMA do të jetë gjithëpërfshirësemeqë aty do të jenë shumica e partive shqiptare dhe pjesa dërmuese e pakicave.
“Formula e një Qeveri gjithëpërfshirëse është ekzistuese sepse 83 deputetë kanë votuar në Parlamentin e Kosovës. Kjo do të thotë se shumica e partive shqiptare dhe po ashtu të pakicave janë dakorduar për formimin e një Qeverie e cila vec është iniciuar. Prandaj, cdo formulim tjetër është tentim i kotë”, ka thënë ai.
Isufi ka deklaruar se po e presin vendimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me seancën konstituive të Kuvendit për të vazhduar pastaj me formimin e Qeverisë së re të koalicionit LDK-AAK-NISMA.
“Ne po presim vendimin e Gjykatës Kushtetuese, ndërsa, sa i përket ndonjë formule tjetër nuk ka sepse e kemi lidhur koalicionin LDK-AAK-NSIMA i përkrahur edhe nga Vetëvendosje. Konsiderojmë se zgjidhjet tjera janë të pamundshme për arsye se është humbur besimi i partive politike të Kosovës në Kryeministrin Thaci dhe në PDK’në”, ka thënë Isufi.
Ndryshe, dje, PDK përmes Zëvendëskryetarit Kadri Veseli propozoi qeveri gjithëpërfshirëse me arsyetimin se koalicioni i ardhshëm duhet të ketë së paku 80 vota pa llogaritur në listën “Srpska”.
Veseli ka deklaruar se nëse nuk krijohet një Qeveri e tillë atëherë vendi do të shkonte në zgjedhje të jashtëzakonshme.
http://www.gazetaexpress.com/lajme/ahmet-isufi-kemi-qeveri-gjitheperfshirese-pa-pdkne-33469/