”Po vazhdon mbështetja e fermerëve nga Komuna e Gjilanit, përkatësisht Drejtoria për Bujqësi dhe Pylltari. Tanimë janë 128 fermerë që kanë përfituar serra të madhësisë 100 m², vlera e të cilave arrin 128 mijë euro”, ka thënë Bajram Isufi, drejtor i Drejtorisë për Bujqësi dhe Pylltari.
Ai, bashkë me koordinatoren Kosovare Pajaziti, nga Islamic Reliev Kosova, kanë vizituar disa zona në fshatra e qytet ku po bëhet montimi i serrave 100 m² në bashkëpunim me Islamic Reliev Kosova.
“Kemi shpërndarë 128 serra për 128 fermerë dhe pas shpërndarjes ka filluar edhe montimi i tyre, ku edhe kemi vizituar disa lokalitete për të parë nga afër ecurinë e montimit të tyre”, tha Bajram Isufi.
Drejtori për Bujqësi dhe Pylltari, theksoi se vlera e këtij projekti është 128 mijë euro.
“Mbështetja ndaj fermerëve në rritjen e kapaciteteve prodhuese nuk do të ndalet në forma të ndryshme nga Komuna e Gjilanit, pasi që e kemi edhe prioritet të vazhdueshëm bujqësinë dhe rritjen e vazhdueshme të mirëqenies së fermerëve”, tha drejtori për Bujqësi Bajram Isufi. /2LONLINE/