“Është koha vendimtare që të kemi lirim të masave të reja, në mënyrë që ta lëmë të lirë ekonominë të funksionojë dhe në anën tjetër, të vendosim një standard edhe më të madh monitorimesh në respektimin e masave nga ana e këtyre bizneseve”.
Kështu është shprehur, Arbër Ismajli, nënkryetar i komunës së Gjilanit, sipas të cilit pandemia me virusin corona po shkakton gjendje të rënduar socio-ekonomike dhe psikologjike tek qytetarët, e rrjedhimisht, edhe te bizneset, gjë që po e vështirëson operimin dhe po e rrezikon ekzistencën e mirëqenies së tyre, transmeton 2LONLINE.com.
Por, sipas tij, tanimë, jemi në një fazë “finale” ku do të definohet mundësia e ekzistencës së bizneseve tona. Duhet të jemi syqelë, karshi krijimit të politikave gjithëpërfshirëse, në mënyrë që të dalim sa më faqebardhë nga kjo “katrahurë” kohe e pa kohë.
“Është joparimore dhe papërgjegjësi totale, kur një inspektor në këtë kohë të rëndë ekonomike shënon gjoba të majme deri në 500€, kur ai biznes fitimin neto në muaj e ka 200€. Cila është logjika e rritjes të mirëqenies qytetare në këtë kohë krizash, kur vazhdojmë t’i rrënojmë këto pak biznese në këtë formë. Është mirë që ata inspektorë, por edhe vetë shteti, të futet nën lëkurën e tyre. Si do të ndihen ata moralisht, e qe besa, kombëtarisht, kur një biznes do të mbyllet nga gjobëvënia e majme, e që ndikon drejtpërsëdrejti në mirëqenien e ekonomisë së vendit tonë”, thotë nënkryetari Ismajli, transmeton 2LONLINE.com.
Sipas tij, shteti duhet të jetë mekanizëm veprimi për t’i dalë në mbrojtje të gjjthë atyre bizneseve që po rrezikohen të mbyllen.
“Nuk guxojmë ta rrënojmë edhe pak këtë mirëqenie ekonomike e cila na ka mbetur. Përfundimisht, duhet të krijojmë politika të mirëfillta dhe funksionale në mbrojtjen e jetës biznesore dhe sociale të qytetarëve tanë. Bizneset vendore janë infuzioni i mbajtjes gjallë të familjeve tona”, ka thënë Ismajli. /2LONLINE.com/