Nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli ka bërë me dije se sot, bashkë me Drejtorin për Shëndetësi, Selami Xhemaili, ishiN në takim me përfaqësuesit e Komisionit Komunal për Emergjenca, Policinë e Kosovës, IKSHP-në, Shëndetësinë primare dhe Spitalin Regjional dhe se pas shtimit të dy rasteve të para me COVID19, Komuna e Gjilanit, në bashkëpunim me ekipën emërgjente, ndjekur nga rekomandimet e organeve të shëndetësisë, ka ndërmarrë hapat për vetë-izolimin e Vrapqiqit dhe Zhegrës.
Ai tha se nga mbrëmë, ekipet mjekësore janë në kontakt të vazhdueshëm me familjarët e të prekurve, dhe me personat tjerë potencial, që kanë patur kontakt me ta.
“Nga personat e prekur, njëri është në vetë-izolim sepse nuk shfaq simptoma, ndërsa, tjetri, është në klinikë infektive. Policia e Kosovës është në terren për ta siguruar zonën në mënyrë që të respektohet vetë-izolimi. Ekipet tona po punojnë intensivisht në sigurimin e një numri më të shumtë të rezervave ushqimore, ku do të ketë rezerva të mjaftueshme për t’i dalë në krahë banorëve të izoluar”, ka thënë nënkryetari Ismajli.
Ai po ashtu ka bërë me dije se Stublla pas 14 ditësh vetë-izolimi, ka rezultuar me sukses në ballafaqimin e kësaj pandemie.
“Pra, vazhdojmë të bëjmë thirrje, se e vetmja mënyrë për ta tejkaluar këtë gjendje është vetë-izolimi dhe shtimi i masave higjenike. Prandaj, qëndroni në shtëpi, mënjanoni lëvizjet dhe takimet familjare, ku vetëm në këtë mënyrë mund ta ndihmojmë vetveten, familjen dhe shoqërinë” ka thënë Arbër Ismajli, nënkryetari i Komunës së Gjilanit.