Nga 66 mostrat e marra nga Gjilani fatkeqësisht dy rezultuan pozitiv

Nga 66 mostrat e marra nga Gjilani fatkeqësisht dy rezultuan pozitiv

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri ka bërë me dije se nga 66 mostrat e marra nga Gjilani, fatkeqësisht dy raste rezultuan pozitiv me COVID 19.

“Dy rastet janë të ndara dhe nuk kanë historik të përbashkët, përderisa po shikohet historiku i kontakteve të tyre. Njëri është nga Zhegra, ndërsa tjetri me origjinë nga Vrapçiqi, por që jeton në Ferizaj dhe sipas të dhënave, ka ardhur para disa ditësh nga Gjermania”, ka thënë Haziri.

Sipas tij, nga informatat e para, e infektuara ka pasur kontakt me familjen në Vrapçiq gjatë vizitës. Po bëhet historiku i kontakteve dhe Insituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike do t’i ketë informatat në detaje.

“Pas këtyre dy rasteve, apeloj që të vetizoloheni dhe të mos qarkulloni pa nevojë, sikurse edhe t’i zbatoni të gjitha rekomandimet e institucioneve të Republikës, që të kujdesemi për vete, për familjen, për lagjen, për komunën”, ka thënë ai.

Haziri tha se në takimin me kryetarët e Anamoravës, janë dakorduar se në momentin që paraqitet ndonjë rast në këtë pjesë, t’i kërkohet qeverisë së Kosovës që ta karantinojë komplet Anamoravën sepse jemi në trekëndëshin kufitar me Maqedoninë Veriore dhe Serbinë.

“Ju lutem, qëndroni në shtëpi dhe për gjithçka do të jeni të njoftuar me kohë. Komiteti për mbrojtje dhe shpëtim për parandalimin e Covid-19 dhe Qendra Operative Emergjente, 24 orë janë duke e menaxhuar situatën. Rrini pa brenga”, ka thënë kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri.

KOMENTE