Nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli, në konferencën me gazetarë të mbajtur sot, pas takimit me Komitetin emergjent për parandalimin e virusit Covid-19, ka kërkuar respektim të rekomandimeve të institucioneve shëndetësore dhe vendimeve të organeve të shtetit në mënyrë që të ketë sa më pak raste në Gjilan.
“Janë 12 raste të reja që kanë dalë pozitivë në Gjilan, në rezultatet e fundit të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik dhe jemi duke vazhduar të marrim mostrat varësisht nga kontaktet që kanë pasur të infektuarit. Dje janë marrë 70 mostra të kontraktit dhe sonte i presim rezultatet e tyre. Edhe sot janë marrë mostrat dhe do të përpunohen rezultatet e tyre për të cilat do të jeni të njoftuar. Apeloj të ruhemi sa më shumë dhe t’i respektojmë rekomandimet që dalin nga institucionet e shtetit në nivel qendror dhe lokal”, ka thënë Ismajli.
Ai ka konfirmuar se inspeksioni i Komunës së Gjilanit dhe Policia e Kosovës është vazhdimisht në terren dhe kërkohet që të gjithë ata që janë disgnostifikuar pozitivë në testet me Covid-19, të qëndrojnë në shtëpi, duke përfshirë kështu edhe të gjithë ata që kanë qenë në kontakt me ta, sepse krijojnë rrezik për përhapje të virusit.
Ajhane Sefiu, drejtoreshë e Qendrës Rajonale të Shëndetit Publik, ka konfirmuar se tashmë në Gjilan janë 46 raste aktive me Covid-19 në Gjilan dhe gjendja e tyre është nën monitorim të vazhdueshëm deri në shërimin e plotë të tyre.
“Lusim për kujdes maksimal të të gjithë qytetarëve në përdorimin e masave mbrojtëse. Të infektuarve u kërkojmë që ta respektojnë vetizolimin si masa më e mirë e tejkalimit të virusit”, ka thënë ajo.
Alban Ramushi, komandant i Stacionit Policor në Gjilan, ka theksuar se veprimet e policisë janë strikte, duke njoftuar kështu ndërprerjen e aktiviteteve në dy lokale të natës, ku nuk respektoheshin rekomantimet e institucioneve të shtetit.
“Apeloj te të gjitha bizneset që t’i respektojnë vendimet e shtetit, sepse në të kundërtën do t’u mbyllen veprimtaritë dhe do të ballafaqohen me ligjin. Duhet të përdoren masat mbrojtëse dhe të përshtaten me të jetuarit në regjimin e masave mbrojtëse. Për çdo rast apo shqetësim mund të kontaktojnë në çdo kohë numrat kujdestar 112 dhe 192 dhe do të jemi në shërbimin e tyre”, ka përfunduar komandanti Ramushi. /2LONLINE.com/