Më në fund!

Më në fund!

Tani, të gjitha teatrot e qyteteve, do t’i kenë aktorët rezidentë të punësuar me pagë të rregullt dhe krahas tyre edhe punëtorët përcjellës kreativ, teknik dhe administrativ.

Shkruan: Avni SHKODRA   –  2LONLINE.com

Ky është ndër lajmet më të mira për teatrin kosovar, në 20 vjetët e fundit, meqë me krijimin e ansambleve rezidente të aktorëve, pos mirëqenies, do të ketë më shumë mundësi për prodhime të shfaqjeve dhe ngritje të cilësisë.

E mira e kësaj punë është edhe tejpartizimi, meqë thuajse të gjitha partitë politike shqiptare të Kosovës e kanë përkrahur këtë iniciativë të artistëve të qytetit tonë e që tani po përfitojnë të gjitha teatrot kryesore publike të Kosovës.

Kërkesa për një teatër stabil juridiko- financiar, ka pasur fillimisht nga kasta më e vjetër e aktorëve, në kohën para dhe kur ishte në fuqi ligji i UNMIK-UT për teatrin i vitit 2005.

Linja e veçantë buxhetore është kërkuar edhe nga ish drejtori artistik Shkëlzen Berisha dhe ish drejtori i përgjithshëm, Ali Demi, në vitin 2011- 2012.

Më 20 tetor 2013, në hapësirën e Varg e Vi-së, kryetari aktual i komunës, pati nënshkruar një deklaratë zotimi me organizatat e pavarura të kulturës në Gjilan (Varg e Vi, Riverside dhe Orin), se gjatë mandatit të kaluar katër vjeçar, teatri i Gjilanit do ta ketë linjën e veçantë buxhetore, e cila nënkuptonte edhe pagat e rregullta për punëtorët e teatrit. Si pasojë e mosrealizimit të këtij premtimi, ne reaguam, dhe pasi reaguam, une u kërcënova publikisht nga kryetari se do të largohem nga teatri, kërcënim ky që nxiti edhe reagim qytetar.

Tani që teatri po stabilizohet, edhe pse me vonesë, të tjerat nuk kanë edhe shumë rëndësi.

Në këtë drejtim është punuar shumë edhe nga ish sindikata e punëtorëve të teatrit të Gjilanit, në të cilën isha nënkryetar, Gyner Halili- kyetar, më vonë Naser Zymberi- kryetar dhe Ramadan Kurti-nënkryetar (rreth viteve 2011- 2018), duke u koordinuar edhe me punëtorët e teatrove të tjera lokale për futjen e punëtorëve në paga të rregullta dhe linjës së veçantë buxhetore për teatrot kryesore publike të Kosovës.

Për fund, kësaj sage, epilogun ia dhanë drejtorët e teatrove të qyteteve, e më së shumti drejtori i teatrit tonë Erson Zymberi, duke u koordinuar me komunat dhe ministritë përkatëse, që linja buxhetore të realizohet.

Për mua si aktor në teatrin e Gjilanit, ish nënkryetar i sindikatës së punëtorëve të teatrit të Gjilanit, drejtor ekzekutiv i qendrës për art bashkëkohor Varg e vi, ishin të përballueshme kërcënimet dhe presionet që mos e ngris zërin dhe të kërkoj që ky zotim të përmbushet.

Tani teatri jonë është i pari që ka rekrutuar punëtorët e vet dhe une i uroj të gjithë të pranuarit dhe të gjithë ata që kontribuuan e sakrifikuan.

Teatri është ndërgjegjja dhe argëtimi jonë. Ta zhvillojmë. URIME! /2LONLINE.com/

KOMENTE