Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili tha sot se Ministria e Shëndetësisë po kalon nëpër një reformë të madhe institucionale në sektorin e shëndetësisë e cila ka për qellim të përgjithshëm përmirësimin e cilësisë së shërbimeve shëndetësore për qytetarët dhe me kosto sa më efektive.
Ai deklaroi kështu gjatë diskutimi të hapur publik të mbajtur në Prishtinë lidhur me draft Udhëzimin Administrativ për rregullimin e çmimit të barnave.
“Për Ministrinë e Shëndetësisë qëllimi i këtij udhëzimi është i dyfishtë: duke tentuar që fillimisht të rregullojmë dhe krijojmë mekanizma mbrojtës për të gjitha autoritetet kontraktuese të fushës së shëndetësisë për produkte medicinale ashtu që çmimet e kontraktuara të jenë korrekte dhe të jenë në nivel të një mesatareje rajonale dhe evropiane; si dhe të mos jemi ne i vetmi vend ku çmimet e produkteve medicinale të kontraktuara të jenë shumëfish më të larta apo të jenë abuzuese”, tha Ismaili.
Ai shpjegoi se Udhëzimi Administrativ i propozuar për rregullimin e çmimeve për produktet medicinale përcakton kufijtë e çmimeve të cilat MSH/apo autoriteti kontraktues do të lejohet të blejnë, duke lënë hapësirë për konkurrencë e cila natyrisht duhet të zhvillohet nën këtë çmim i cili do të konsiderohet si maksimal.
“Për fat të keq, në Evropë, vetëm Kosova dhe Bjellorusia nuk kanë pasur mekanizma për t’i rregulluar çmimet e barnave. Sot, të gjithë duhet të jemi krenarë se, duke prezantuar këtë udhëzim administrativ për rregullimin e çmimit të barnave, Kosova do t’i thotë lamtumirë kësaj praktike të keqpërdorimit që ka ndodhur”, tha Ismaili.
Udhëzimi, shpjegoi ai, do të ndalojë këdo që oferton me çmime më të larta se në treg dhe do t’i krahasojë çmimet me vendet e rajonit (Shqipëria, Maqedonia, Kroacia, Mali i Zi), për të parandaluar çdo lloj abuzimi me çmime. Rezultatet e këtij Udhëzimi Administrativ pritet të jenë: Çmime më të ulëta, barna më shumë, furnizim i qëndrueshëm, kursim i buxhetit, jetë më të shëndetshme.
Konsulenti nga Projekti i Shëndetësisë Kosovare (PSHK), Arianit Jakupi, ka zbërthyer përmbajtjen e udhëzimit, dhe ka specifikuar se ky udhëzim parasheh që të krijohet Lista e Barnave Esenciale-A, e cila prokurohet nga MSh ose autoriteti kompetent për furnizimin e institucioneve publike shëndetësore përfshirë tre nivelet e kujdesit shëndetësor dhe Lista e Barnave Esenciale B, e definuar nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore, të cilat janë të mundshme për t’u rimbursuar nga Fondi.
Në këtë diskutim publik kanë kontribuar me vështrimet e tyre përfaqësuesit e Zyrës së OBSh-së në Kosovë, të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, përfaqësues të institucioneve dhe komunitetit farmaceutike, përfaqësues të shoqërisë civile, etj.
Drafti i këtij UA është hartuar në bashkëpunim të ngushtë me ekspertët e OBSh-së, (Zyra Rajonale për Evropë), si dhe është reviduar nga qendra bashkëpunuese e OBSh-së me seli në Vjenë për çmime dhe rimbursim të barnave. Po ashtu ky UA është reviduar edhe nga ekspertë eminent të Bankës Botërore.