Institucionet komunale të Gjilanit, përkatësisht Drejtoria për Kulturë, Rini e Sport (DKRS), ka bërë publike kalendarin e “Flakës së Janarit 2023”, por se në lidhje me këtë ka reaguar ish kryesuesja e Kuvendit Komunal të Gjilanit, aktualisht anëtare e kuvendit, Shpresa Kurteshi Emini, e cila e ka vlerësuar si skandaloze mospërfshirjen në këto aktivitete edhe të një Akademia për ish presidentin Dr Ibrahim Rugova.
Shpresa Kurteshi Emini, e cila vjen nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), e ka vlerësua këtë si skandaloze, pasi siç ka thënë ajo, për sa vite me radhë Komuna e Gjilanit, në kuadër të Manifestimit mbarëkombëtar “Flaka e Janarit” ka organizuar Akademinë për Ibrahim Rugovën.
“Në këtë agjendë të publikuar nga DKRS-ja në Gjilan për aktivitetet e “Flakës…”, siç po e shoh, e paskan ”zhdukë” këtë Akademi! Dhe krejt shqiptaria e di që Gjilani gjithmonë e ka pas traditë me i nderu figurat madhështore të popullit shqiptar, figura që me pushkë e me pendë e kanë bo Shqypninë e Kosovën, veçanërisht përmes këtij manifestimi”, ka thënë Shpresa Kurteshi Emini.
“Tash, çfarë patët me Ibrahim Rugovën, na tregoni se na ngritët dyshime dhe pikëpyetje të mëdha?!”, ka shtruar pyetjen ajo, në një reagim të saj. /2LONLINE/