Kryeshefi i IPK-së Kushtrim Hodaj me bashkëpunëtorë dhe zyrtarë të ICITAP-it amerikan në Kosovë po marrin pjesë në konferencën profesionale të Shoqatës Kombëtare të Hetimeve të Brendshme (NIAIA) në Clearwater /Florida të SHBA-ve.
Delegacioni i IPK-së u mirëprit nga Kryetari i bordit Kapiten Chris Ray dhe zyrtarë tjerë të delegacioneve pjesëmarrëse, me të cilët po diskutohet për sfidat e mbikëqyrjes policore dhe rëndësinë e shkëmbimit të përvojave nga agjencitë homologe.
Konferenca po zhvillohet nga data 17 deri 23 Shtator 2022, ku ndër tjera po diskutohet për rëndësinë e integritetit të zyrtarëve policorë, metodat e hetimit dhe luftimit të rasteve të keqpërdorimit të detyrës, përdorimit të forcës, përdorimi i rrjeteve sociale, si dhe trendet në hetimet e brendshme dhe mbikëqyrjen e organeve të zbatimit të ligjit.
NIAIA është organizatë në kuadër të së cilës bëjnë pjesë mekanizmat mbikëqyrëse të policive në SHBA. Kosova përmes IPK-së nga viti i kaluar është anëtare e barabartë e kësaj organizate si shtet i parë Evropian krahas Agjencive të zbatimit të ligjit në SHBA.
IPK vazhdon të përkrahet fuqishëm nga Departamenti i Shtetit dhe Ambasada Amerikane, ku përmes INL dhe ICITAP-it po kontribuojnë në ngritjen e kapaciteteve profesionale të IPK-së, duke përfshirë edhe realizimin e pjesëmarrjes së rregullt në punimet e konferencës. /2LONLINE/