Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) respektivisht Departamenti i Hetimeve ka arrestuar sot në orët e pasdites një zyrtar policor (punonjës në Stacionin Policor në Gjilan) me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale mashtrim dhe organizim të skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm .
Arrestimi i tij është bërë sot në orët e pasdites nga hetuesit e IPK-së në bashkëpunim dhe koordinim me Prokurorinë Themelore në Gjilan.
Sipas kërkesës së prokurorit të rastit, me urdhër të Gjykatës kompetente në Gjilan është realizuar bastisja në shtëpinë e të dyshuarit në fshatin Përlepnicë komuna e Gjilanit, ku në cilësinë e provave materiale janë sekuestruar:
– Një (1) telefon Samsung,
– Një (1) kartelë Vala,
– Një (1) kartelë Ipko,
– Një (1) tabletë i markës Lenovo,
– Një (1) kompjuter i markës HP, si dhe,
– Një USB.
I dyshuari pas intervistimit nga ana e hetuesve të Inspektoratit Policor të Kosovës me urdhër të prokurorit të rastit është dërguar në ndalim, në kohëzgjatje prej 48 orëve.
Hetuesit e IPK-së pritet të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore lidhur me këtë rast në konsultim të vazhdueshëm me prokurorin përgjegjës në përputhje me autorizimet ligjore të IPK-së dhe Kodit të Procedurës Penale. /2LONLINE.com/