Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës po përcjell në mënyrë permanente situatën epidemiologjike me ethet hemorragjike krime-kongo në të gjitha vatrat e infeksionit dhe bashkë me mjekët dhe punëtorët shëndetësorë të QKMF-ve në Malishevë, Rahovec, Klinë, Suharekë, Gjakovë.
IKSHP bën me dije se tashmë është në gjendje gatishmërie për të ndërmarrë masat profilaktike dhe kundërepidemike për të parandaluar epideminë e EHCC të planifikuara me kohë dhe të përfshira në Planin Operacional për parandalimin dhe luftimin e Etheve hemorragjike krime kongo në Kosovë.
Edhe pse rreziku nga ethet hemorragjike është më i vogël se vitet e kaluara, qytetarëve u bëhet apel që edhe më tutje të vazhdojnë të kenë kujdes nga pickimet e rriqrave, sidomos në zonat Malishevë, Rahovec, Suharekë dhe Klinë pasi që tashmë temperaturat kanë filluar të ngrihen dhe rriqrat kanë filluar të dalin në sipërfaqe të tokës.
Mos qëndroni gjatë dhe pa nevojë në livadhe dhe vende me shkurre
Nëse patjetër duhet të jeni të pranishëm në këto vende vesh rroba të gjata dhe pantallonat futni në çorapë
Duhet të përdorni preparate me të cila lyejmë pjesët e trupit të cilat i dëbojnë insektet nga trupi i njeriut e sidomos në pjesët e zbuluara të trupit, (shuplakat, qafën)
Kontrolloni trupin mos keni ndonjë rriqër gjatë qëndrimit në vatër
Kontrolloni përsëri trupin pas largimit nga livadhi apo vendet me shkurre
Nëse keni rriqër në trup ofrohuni në qendrën më të afërt mjekësore sa më shpejt
Kositja e barit të bëhet në vazhdimësi (oborr dhe livadhe)
Pastrimi dhe dezinfektimi i stallave të bëhet në vazhdimësi
Mbajtja e higjienës personale në nivelin më të lartë
IKSHP iu bën thirrje qytetarëve të punojnë në faktorët e përmirësimit të ekosistemit që nënkupton:
Të punohen të gjitha tokat e punueshme
Të kositen të gjitha livadhet me kohë dhe nga disa herë
Të pastrohen kopshtet dhe pronat për rreth shtëpive
Të pastrohen fermat ku mbahen bagëtitë dhe të largohen rriqrat nga trupi i kafshëve
Të kihet kujdes në veshmbathje për të gjithë fermerët dhe anëtarët e tyre të familjeve që punojnë në fushë ku kurrsesi nuk guxohet të lihen këmbët e zbathura
Fëmijët mos të lejohen të luajnë në livadhe e kopshte të pakositura dhe në mbrëmje të kontrollohet prania e rriqrave në tërë trupin.