Inspektori Gjeneral i FSK-së, gjeneralmajor Irfete Spahiu, me një ekip të FSK-së, ka zhvilluar një vizitë të rëndësishme në Qendrën për Udhëheqjen e Brendshme (Zentrum Innere Führung-ZiF) në Koblenz-Gjermani, ku u pritën nga komandanti i Qendrës, gjeneralmajor Markus Kurezyk dhe ekipi i tij, njofton Ministria e Mbrojtjes e Republikës së Kosovës.
Kjo vizitë ka pasur për qëllim avancimin e bashkëpunimit dhe shkëmbimin e përvojave në fushën e udhëheqjes dhe trajnimit ushtarak në mes forcave të armatosura të Republikës Federale të Gjermanisë (Bundeswehr) dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Delegacioni kishte rastin të shohë nga afër trajnimet praktike, mësimet dhe metodologjitë që përdoren në këtë Qendër për të përmirësuar aftësitë dhe kompetencat e udhëheqësve ushtarakë të Bundeswerit.
Gjatë kësaj vizite nga ana e lidershipit të ZiF është konfirmuar gatishmëria që me FSK-në të thellohet bashkëpunimi në fushën e sigurisë, lidershipit dhe trajnimeve, njofton Ministria e Mbrojtjes e Republikës së Kosovës. /2LONLINE/