Është inauguruar Qendra e Karrierës në Komunën e Kamenicës, qendër kjo e cila do të ofrojë ndihmë për kudarot e reja që të orientohen në karrierë.
Kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, në inaugurimin e kësaj qendre ka thënë se Qendra e Karrierës do të ndihmojë në diktimin apo zbulimin e hershëm të talenteve tek nxënësit për fusha të caktuar.
“Misioni kryesor i Qendrës së Karrierës është që të mbështes dhe inkurajojë nxënësit në zgjedhjen e profilit të tyre, të ofrojë të gjitha informacionet mbi drejtimet dhe zgjedhjet që ofrojnë shkollat profesionale ekzistuese, të i njoh ata me nevojat e tregut të punës, që edhe mund të bëjnë më të lehtë zgjidhjen, të punojë në arritjen e dakordimit si dhe realizimin e punës praktike për këto profile, si dhe ndërlidhjen mes mundësive që jep tregu për profilin e caktuar me nxënësin pas përfundimit të shkollimit”, është shprehur Kryetari Rahimaj.
Përfaqësuesi i Ministrisë së Arsimit, Shkencë, Teknologjisë dhe Inovacionit, theksoi se sa e rëndësishme është orientimi i nxënësve në drejtimin e duhur për të ardhmen e tyre.
Ndërsa Drejtori Ekzekutiv i Projektit “Enhancing Youth Employment”, Julian Peach, falenderoi Kryetarin Rahimaj për bashkëpunim, dhe uroi nxënësit e Kamenicës për hapjen e kësaj qendre, duke thënë që shpreson që t’iu shërbej në aftësimin profesional dhe ta shohin si mundësi praktike për profilin që ata do të zgjedhin.
Kurse Drejtori i Drejtorisë Komunale të Arsimit, Afrim Drervishi, është shprehur i lumtur që më në fund pas nënshkrimit të marrëveshjes është hapur kjo qendër, dhe tha se përveç orientimit të të rinjëve në karrierë, qendra do të jetë në funksion të orientimit të jetës në Komunën e Kamenicës.
Në këtë ngjarje i pranishëm ishte Drejtori i SHMLP “Andrea Durrsaku”, Bekim Kastrati, drejtorë të shkollave tjera, nxënës dhe qytetarë.
Qendra e Karrierës në Kamenicë është në kuadër të bashkëpunimit mes Komunës së Kamenicës, Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, me projektin “Enhancing Youth Employment”, projekt i Agjencisë Zvicerabë për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), i zbatuar nga HELVETAS. /2lonline/