Inaugurimi i Qendrës së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike të Universitetit të Prishtinës, ishte aktiviteti i radhës në të cilën mori pjesë sot Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, e cila u jetësua si rezultat i marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë dhe Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.
Në fjalën e tij të rastit, kryeministri theksoi se hapja e kësaj qendre shënon një hap të rëndësishëm në angazhimin tonë për të nxitur një kulturë të inovacionit dhe ndërmarrësisë brenda komunitetit tonë akademik, në ekonominë e shoqërinë tonë në përgjithësi.
“Qendra për Inovacion dhe Ndërmarrësi në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike do të shërbejë si nyje e rëndësishme e kreativitetit dhe e bashkëpunimit. Do të jetë një hapësirë ku iniciohen idetë, ku sfidat përballen me zgjidhje inovative dhe ku kultivohet fryma e ndërmarrësisë. Kjo qendër jo vetëm që do të avancojë përvojën mësimore të studentëve tanë, por gjithashtu do të kontribuojë në zhvillimin e ideve biznesore, teknologjive dhe zgjidhjeve, të cilat i adresojnë problemet reale të industrisë dhe të ekonomisë”, shtoi ai.
Më tej, siç tha kryeministri, lansimi i kësaj qendre do të mundësojë pajisjen e studentëve tanë me aftësitë, mendësitë dhe burimet e nevojshme për t’u ballafaquar me sfidat e botës moderne që po zhvillohet me shpejtësi marramendëse, derisa stafi akademik i fakultetit do të kenë kushte më të mira për punë kërkimore dhe për të marrë pjesë me projekte në programet e BE-së si Horizon Europe e Digital Europe, në të cilat Kosova është anëtarësuar rishtas.
Ndërkaq ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, u shpreh e lumtur për inaugurimin e Qendrës së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike, të cilën e konsideroi hapësirë që do të krijojë një kulturë që mbështetë inovacionin dhe nxitë rritjen e ekosistemit të ndërmarrësisë, duke fuqizuar studentët, të diplomuarit, ndërmarrësit, inovatorët dhe ndërmarrësit potencial si individët apo studentë, të cilët me talentin dhe kreativitetin e tyre do të krijojnë ndërmarrje të reja inovative.
Si dëshmi e angazhimit për inovacion e ndërmarrësi, Qeveria e Republikës së Kosovës tashmë është duke investuar në dy platforma tjera të rëndësishme: Parku i Inovacionit dhe Trajnimeve në Prizren – ITP, hapësirë prej 40 hektarësh si bashkë-investim me qeverinë gjermane, që tashmë popullohet me mbi 40 kompani vendore e ndërkombëtare dhe pjesëmarrës tjerë nga organizata joqeveritare e akademike; si dhe Tech Park Prishtina, hapësirë moderne në të cilën qeveria ka investuar 1.2 milion Euro, dhe e cila iu ka dhënë në menaxhim Shoqatës së Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit – STIKK-ut, si përfaqësues i sektorit privat të TIK-ut.
Pas fjalëve hyrëse u bë edhe prerja e shiritit, ndërkaq kryeministri me të pranishmit vizituan ambientet e kësaj qendre ku panë nga afër laboratorët në të cilat do të mbahen trajnime dhe orë praktike nga studentët. Po ashtu në këtë qendër do të kenë mundësinë të përfitojnë edhe biznese të ndryshme të interesuara. /2LONLINE/