Nga: Mehmetali REXHEPI
Lajmi i hidhur për vdekjen e ish fqinjit tim, Mustafë Shala jehoi pikëllueshëm në mua dhe, më tej në Gjilan edhe më larg, gjithë andej ku preku fjalë-mirësia dhe dorëdhënia e lirë, përherë e shtrirë për nevojtarë e bamirësit e mikut e bashkëqytetarit tonë, atdhetarit Mustafë Shala.
Mustafë Shala nuk iu përkiste mburracakëve, nuk ishte një premtues i zbrazët, assesi një reklamues i dorëdhënies së tij. Më parë se dora atij ia jepte zemra dhe, kjo është e dëshmuar sa e sa herë… Kush e ka njohur mirë Mustafën, ishte përherë një atdhedashës, por jo vetëm me fjalë. Ai mëtonte kurdoherë që atdhedashurinë ta konkretizonte dhe, sa herë i jepej mundësia nuk kursehej. E kishte ndihmuar ZOK-un njësitë vullnetare të UÇK-s, por, nuk numërohen ndihma të tjera të shumta, për të cila mund t`i dinë vetëm njerëzit më të afërm të Mustafës ose nuk i dinë, ngase i dinte vetëm ai dhe përdoruesit fatlumë! Ja pse i gëzohemi afarizmit të kategorisë së Mustafë Shalës…
Gjithsesi, për shkakun bamirës të një ndërmarrësi të tillë, sikur ishte dhe mbeti me po ato vlera, miku ynë Mustafë Shala. Andaj, shkuarja e tij në botën e amshuar la zbrazësi… Mustafa pos që do t`i mungojë familjes së tij të dashur, do t`i mungojë veprimtarisë bisnesore, do t`i mungojë institucioneve shtet-ndërtuese, do t`i mungojë miqve e shokëve të shumtë, do t`i mungojë kulturës dhe qytetarisë së Gjilanit!
Me pikëllim e sinqeritet të thellë ndahemi nga dashamiri e miku i ndejave të këndshme! Gjithnjë ndejat tona, pos asaj njerëzores së rëndomtë, nuk mbeteshin pa u përshkuar edhe nga brengat për mbarëvajtjen e fatit tonë si shqiptarë dhe, fati i rrugëtimit të mëtejmë të shtetit tonë të ri, të ngritur me gjak e sakrifica gjithfarësh por, edhe me gabime e papërgjegjësi drejtuese të klasës politike të gjitha ngjyrimeve… Megjithatë, pusho i qetë në dheun e atdheut tënd Miku ynë i çmuar Mustafë Shala! Lamtumirë!
Gjilan, më 30 gusht 2024