“E papranueshme mënyra se si realizohen projektet infrastrukturore në Kosovë, veçmas në Gjilan. Një projekt aq i vogël siç është rruga nga fabrika e baterive deri tek Bunari i Përlepnicës me zgjatë gati katër vjet dhe ende larg përfundimit, sinqerisht është e habitshme”.
Kështu është shprehur Ilmi Mustafa, afaristi nga Gjermania, njëkohësisht anëtar i kryesisë së AAK-së në Gjilan, sipas të cilit, në vendin ku jeton dhe e ushtron biznesin, në Gjermani, një projekt i tillë realizohet brenda pak ditëve. Nuk bëhet fjalë për muaj, lëre më për vite.
“Paramendoni çfarë humbje pësojnë bizneset që janë rreth e rrotull kësaj rruge, me çfarë pluhuri e katrahure përballen secilën ditë ato. E ka koston e lartë edhe për bizneset edhe për qytetarët krejt kjo hajgare e pushtetit me rrugët në të gjitha anët e Gjilanit”, ka thënë tutje Mustafa.
Ai bëri me dije se bashkë me kryetarin e AAK-së në Gjilan, Nazim Gagica vizituan këtë rrugë dhe pamë nga afër në çfarë gjendje ndodhet ajo.
“Na ndajnë pak muaj nga koha kur diaspora shqiptare do të jetë në pushime, ndërsa shihni gjithandej Gjilanit çka po ndodh me rrugët. Nuk e meriton Gjilani këtë trajtim, as qytetarët e tij e as bashkatdhetarët”, ka thënë Ilmi Mustafa i AAK-së. /2LONLINE/