Fadil Kajtazi
Tani më nuk ka dyshim se gjuha shqipe është një nga gjuhët më të vjetra dhe kjo vjetërsi, nuk ka se si mos të jetë nga vijimësia pellazge – ilire. Pa pretenduar ekspertizë në këtë fushë, por si lexues mesatar, më duket shumë e logjikshme dhe e pranueshme metoda se fjalët e vjetra të shqipes zakonisht shpjegohen ose emërtojnë një funksion.
Në analizën e thjeshtë që kam bërë në librin “Dosja: Ideologjia serbe e gjenocidit”, me qëllim që t’i kundërvihem tezës së akademikëve serb të vitit 2007, se “gjuha shqipe me ilirishten nuk ka asgjë të përbashkët… të gjitha toponimet shqiptare rrjedhin nga mesjeta e vonshme”(f. 67), më ka rezultuar se: “pikërisht toponomastika e mbetur si relikt është ajo që e nxjerr në dritë trashëgiminë e vazhdimësisë jetësore të shqiptarëve nga trungu ilir-dardan”(f. 67).
Duke ju përmbajtur metodës se çdo fjalë shpjegon – emërton një funksion dhe duke krahasuar analogjinë fonetike, strukturën morfologjike, më ka rezultuar se shumica e toponimeve dhe hidronimeve të vjetra antike mund të shpjegohen me shqipen e sotme, së paku, ato në sllavishte nuk thonë as gjë. Fon Hani, si nismëtari i albanologjisë, mbi këtë metodë përfundon se: dardhë = Dardani; dele (delme) = Dalmatae; mal = Dimalium; ose Stipqeviq, nga mal = “Maluntum i sotëm në jug të Dubrovnikut”. Të njëjtin metodë ndjek edhe historiania serbe F.Papazogllu. sipas saj: “Emri i dardanëve shpjegohet zakonisht përmes fjalës shqipe “dardhë”,
Mbi këtë metodë rezulton se:
1. Vetë toponimi fillestar i zhupanisë mesjetare, sipas trajtës fillestare “Rasa” (Stefan Përvovenqani, Cvijiq), i transformuar në Rashka, ka bazë rrënjën e fjalës së sotme shqipe “rrasë-a” (serb: škrilja, plojka), që nënkupton një rrafsh – hapësirë të sheshtë (serb: ploha), e që në rastin konkret, pozicioni i këtij vendi, shpjegohet me definimin e Herodotit, si territor ku jetonte fisi ilir tribal: “rrafshnaltë triblae” . Edhe sot e kësaj dite, në hapësirat shqiptare ka toponime të rrafshnaltave me këtë figuracion – Rrasa e Zogut, që ndodhet në regjionin e Malësisë së Gjakovës.
2. Hidronimi i vjetër për Moravën “Brongu” (Herodoti), “Bargu” (Straboni), “Margu” (Plini), mund të shpjegohet vetëm në shqipen e sotme “buron”, nga variacioni dialektor verior (gegërisht) “b(u)roni”, edhe “bunón” me një “u” të theksuar dobët, ose edhe me një ndërtim fonetik edhe nga fjala që “ekziston në shqip ‘bregu’ (kuptimi që pohon Petar Skok)” – bregu i lumit, i detit etj.
3. Hidronimi i vjetër për Drinin “Dril” (Straboni) dhe “Drilo” (Ptolemeu) nuk lidhet me asgjë me sllavishten, ndërkohë që, kuptimi më i afërt mund të shpjegohet sipas foljes së vjetër shqipe “dëlirë-i”, që është e pranishme te të dyja dialektet (gegërisht; d’lir-i-a; krahinorizëm geg., l’dir-i-a) që edhe në shqipen e sotme ka kuptimin “pastër”, “çiltër”, por në këtë rast i dedikohet tejdukshmërisë së ujit që ka ky lumë: “kthelljët”. Në gjuhët sllave kthjellët do të thotë “bistro”, e ku mbi bazë të kësaj fjale, ka shumë hidronime (Bistrica) në vendet ku jetojnë dhe ku qëndruan si pushtues sllavët. Se edhe ndër sllavët është përdorur hidronimi Drin-i, në formën origjinale, ashtu siç e kanë përdorur shqiptarët, e dëshmon peshkopi malazez Vasilije Petroviç Njegosh (1709-1766), i cili në “Historinë e Malit të Zi” të botuar në Moskë me 1754, kur përmend popujt me të cilët kufizohen malazezët, thotë se “… ky lumi Drin e ndanë Zetënhercegovase me Shqipërinë” (… a ta rijeka Drin…)
4. Nishi i sotëm, qyteti i dytë serb për nga madhësia, i romanizuar mbi bazën e të folmes vendëse në “Naisus”, ka rrënjë gjuhësore që etimologjia e tij mund të shpjegohen vetëm nga shqipja me anë të dy fjalëve. E para, është versioni gegë për numrin “1” (ni), rendori nish, që kuptim ka vetëm në shqip, “Një”, numri “1” në këtë rast, edhe si rendor – njëshi – i pari (në serbishte: jedan numëror themelor dhe prvi rreshtor); E dyta, nga folja “nis”, që është sinonim i foljes filloj. Që të dyja këto fjalë “një-shi” edhe “nis-a”, që janë baza morfologjike e formimit të emrit për qytetin e Nishit, kanë konvergjencë një kuptim që shpjegohet me logjikën e të menduarit në shqip; për diçka që është i pari, për nga madhësia, që është formuar i pari – më i vjetri dhe nga ku ka filluar (ka nisur) diçka – nishi apo nisi-filloi.
Analogjia e njëjte me logjikë e emërtimeve me këtë të Nishit, dokumenton lidhmërinë e shqipes me pellazgjishten përmes qytetit pellazg PLAKIJA, të cilin e përmend Herodotit: “Nuk mundem saktësisht të tregoj se më cilën gjuhë janë shërbyer pellazgët… mbi bazë të atyre pellazgëve që banojnë në Plaki dhe Skilaku në Helespont… pellazgët shërbehen me gjuhën barbare … Prandaj, as banoret e Krestonit e as të Plakisë nuk kanë gjuhë të njëjtë me as njërin nga fqinjët (grekët, F.K)” (Herodoti, Libri I/57). /2LONLINE/
/Më gjerësisht në: “Dosja: Ideologjia serbe e gjenocidit”/