Tregimi që zuri vendin e parë në konkursin letrar “Flaka e Janarit” 2020
Hajri SHAQIRI
I K J A
Ishte një pasdite e zymtë kur zëri që dilte nga televizori jehonte po aq trishtueshëm në hapësirën e dhomës së madhe sa dhe rezultatet e një hulumtimi për situatën ekonomike në vend. Ekspertët thonë se ne jemi më të varfërit nga të gjithë, tha folësi duke shpaluar hulumtimet më të reja të zyrës europiane të statistikës, Eurostat. Dhe menjëherë pastaj, shtoi se sipas një analize po të kësaj zyre, me një shkallë punësimi prej vetëm dyzet për qind, vendi ndodhet në fundin e listës së shteteve të Kontinentit të vjetër. Thua ti se kjo që tha, nuk mjaftonte, folësi, me zërin e tij drithërues, përmendi një studim tjetër, kësaj radhe të institutit gjerman “Fridrih Ebert”, sipas të cilit, më shumë se gjysma e të rinjve, duan të ikin jashtë dhe, pjesa më e madhe e tyre nuk mendojnë të këthehen ndonjëherë.
Ai hodhi vështrimin matanë dritares, vërejti shiun e imët që binte pandërprerë dhe rrufiti një hurbë kafeje, pa lënë të kuptohet nëse kishte dëgjuar fjalët që kumtoi televizori pak më parë. Megjithëse mjeku e kishte lejuar t’i pinte dy, kafeja e pasditës ishte e vetmja që ky konsumonte brenda njëzetekatërorëve. Tek po vështronte gruan përballë që mundohej të kapte bishtin e filxhanit të madh me gishtat e shtrembëruara nga artriti (ajo kafenë e pinte në gotë të madhe të çajit, më shumë për shkaqe praktike), ndjeu një siklet, si gjithmonë në të tilla raste dhe i erdhi ta rrëmbente gotën dhe t’ia vendoste në duar. Por ajo kësaj rradhe u tregua më e shkathët: megjithëse me mundim, e kapi filxhanin me dy duart e deformuara dhe duke e lëkundur lehtësisht, arriti ta shqiste nga mbulesa e tavolinës e ta afronte pranë buzëve. Pas këtij triumfi, në sytë e saj mund të vërehej qartë një kënaqësi që, po të përshkruhej, do të dilte se ishte një përjetim, as i vogël dhe as i madh, që atij i dha ndjesinë e një lehtësimi të papritur. Në shtëpinë e madhe në periferi të qytetit nuk dëgjoheshin më zëra fëmijësh. Ata ishin rritur dhe kishin ikur largë në punët e tyre. Nëse vinin në shtëpinë e dikurshme bashkë me të vegjlit që kishin, këtë e bënin kryesisht gjatë stinës së verës. Qëndronin vetëm aq sa të tregonin për jetët që bënin nëpër Europë, për sukseset që kishin arritur, për planet që synonin… Shtëpia, për një kohë të shkurtër, mbushej me zhurmë si dikur dhe pastaj, ata mbeteshin prapë të vetmuar.
“Do iki!”, tha ai me belbëzim. Ajo nuk foli fare por e vështroi me fytyrën e fshehur pas filxhanit të madh duke lënë t’i dukeshin vetëm sytë që reflektonin një mospërfillje. Përkundër heshtjes që ra, ai ndjeu se në hapsirën e dhomës së ditës me tavan të lartë, qëndronte pezull një pyetje që si një peshë e rëndë mund të binte në çdo çast mbi trupin e tij. Por nuk duhej të kalonte shumë kohë që të bindej se ai në të vërtetë ishte përfshirë nga një ndjenjë që e kishte shtyrë të bënte një parashikim të shpejtuar për të mos thënë të pasaktë sepse, pyetja e zakonshme: “në ç’dreq do të vesh?!” që e bënte ajo pas një kërcënimi të shpeshtuar kohëve të fundit, kësaj radhe nuk u dëgjua.
Kur pa se gruaja vazhdonte të qëndronte e fshehur pas filxhanit, pa thënë asnjë fjalë, ndjeu nevojën që ta provokonte dhe ta prishte abstenimin e saj nga një dialog i logjikshëm që duhej të pasonte, për të vënë me çdo kusht një komunikim brenda të cilit ky, përfundimisht do të mund të sqarohej. “Nuk beson?”, pyeti ai dhe vuri në lëvizje krahun për ta zgjatur dorën në drejtim të filxhanit që fshihte fytyrën e saj, i bindur se, pikërisht ky ishte fajtori që muhabeti i tyre atë pasdite nuk shkonte. I pushtuar nga një frikë se mund ta lëndonte, preku butësisht kockat e gungëzuara të gruas dhe uli ato ngadalë mbi tavolinë bashkë me filxhanin e madh. Megjithëse fytyra e saj doli sheshazi, ai nuk mund të lexonte kurgjë në të. Nuk ishte i sigurt nëse ajo i besonte fjalët e tij dhe nëse këtë herë, pra vetëm këtë here, e kuptonte vërtetë vendosmërinë që kishte. Ajo mbajti fytyrën prej guri dhe nuk e prishi vështrimin mospërfillës, duke i lënë të kuptonte se këtë përrallë e kishte dëgjuar me qindra here të tjera: Kur hidhërohej për gjera banale, kur nuk mund t’i zgjidhte telashet me fëmijët, kur kishte probleme në vendin e punës, por edhe kur ishte nervoz me gjera që s’kishin të bënin me ata të dy, as me fëmijët dhe as me vendin e tij të punës. Dhe ç’është më e çuditëshme asnjëherë nuk kishte treguar pse do të ikte, ku do të shkonte … kur do ta bënte këtë!? Thoshte se, do të zhdukej diku larg, ku nuk do të mund ta shihnin dhe, nuk do të mund ta gjenin. Vetëm kaq!
Pas një heshtjeje të gjatë, ajo vendosi të pranonte sfidën që ia kishte hedhur i shoqi si një dorashkë në fytyrë. Vuri dy duart në tavolinë për tu mbajtur dhe u ngrit me përtesë, pastaj u drejtua kah koridori dhe kërkoi derën që të fuste në dhomën e gjumit. Pak më vonë u kthye me një valixhe të vogël, e la prapa derës dhe foli: “Këtu ke gjërat më të nevojshme për një udhëtim! Pas asaj që tha, iu duk se vendi më i përshtatshëm ku mund të shkonte ishte kanapeja që ndodhej jo shumë larg tavolinës ku pinte kafenë. U shtri duke vënë kokën mbi jastëkun me pupla të sjellur nga dhoma e gjumit dhe u mbulua me batanien e leshtë. Ai përcolli me kërshëri të gjitha veprimet e saj që nga momenti kur u ngrit nga tavolina dhe deri në çastin kur mbylli sytë për të fjetur.
Ndodhej i ulur në karrige, i mbuluar me një batanie si ajo e gruas që flinte, kur deshi të mësonte nëse jashtë vazhdonte të binte shi dhe vërejti se, nata korb e zezë, kishte mbështjellur shtëpinë. Nga brenda ndjeu një dëshirë çuditërisht të ngrohtë për t’iu afruar dhe për t’ia prekur fytyrën, për ta përqafuar fort si për herë të fundit, thellësisht i bindur se do të bëhej roja i shpirtit të saj. Megjithatë dëshira e tij mbeti vetëm në tentativë dhe përkëdhelja e përfytyruar u zëvendësua vetëm me një vështrim të lodhur e mallëngjyes që i hodhi. Lëshoi duart mbi tavolinë duke improvizuar një jastëk, vuri në të kokën dhe fjeti.
Në mëngjes ajo u ngrit e para. Ai nuk u zgjua fare. Kur erdhi mjeku dhe konstatoi një vdekje nga problemet kardiake, zëri që dilte nga televizori, i ndezur një natë më parë, paralajmëronte një ditë të bukur, të ngrohtë dhe pa shi.
Shifra: “Ikja pa kthim”
_____
Prozatori Hajri Shaqiri,( Shkup ) deri më tani kam botuar dy libra me tregime “Birlugati” dhe “Mjegull në gotë”,.
tregimet e tij shpesh edhe janë shpërblyer.