/2L ONLINE/ – Ndonëse Komuna e Gjilani ka formuar këshillat e fshatrave dhe lagjeve që të kanalizohen më mirë kërkesat e qytetarëve, përmes tyre, duket se kjo nuk po kryen punë në disa fshatra të brezit kufitarë të cilët janë revoltuar edhe në komunë edhe në Këshillin përkatës, andaj kanë vendosur ta anashkalojnë këshillin e t’i adresohen vetë komunës, përkatësisht kreut të komunës me kërkesë për nevojat që kanë.
Duket se disa fshatra të brezit kufitar i kanë “que duart” edhe nga Këshilli i fshatit. Bëhet fjalë për banorët e fshatrave Muqibabë, Burincë e Lipovicë, që kanë “rrok para vetes” edhe Këshillin e fshatit, përkatësisht drejtuesit e saj, pasi, sipas tyre, edhe ata janë po aq fajtorë për premtimet e dhëna për këtë pjesë, e që nuk po realizohen dhe po dalin të jenë të rrejshme.
Banorët e këtyre tri fshatrave ankohen për jetë të rëndë dhe për pa perspektivë dhe në këtë drejtim, as nga institucioni, po as Këshilli i Bashkësisë së këtyre fshatrave nuk po ka hair, vlerësojnë ata.
Në kërkesën me shkrim që ia kanë adresuar zyrës së kryetarit, e që e posedon 2LONLINE, banorët e këtyre tri fshatrave, direkt, pa ndërmjetësimin e Këshillit, përmendin premtimet e parealizuara dhe flasin edhe për jetën e rëndë ku akoma uji sigurohet në largësi, fal gomarëve, me të cilët e sjellin ujin në shtëpitë e tyre, duan ujësjellës, punësim, rrugë të mira, sidomos për shkollë, e mbi të gjitha trajtim të rasteve sociale, zbutje të varfërisë, duke përmendur këtu se janë edhe pesë familje pa kulm mbi kokë.
Ata kanë sqaruar se pse në këtë kërkesë kanë anashkaluar Këshillin, duke thënë se i patën besuar kësaj trupe, por se të gjitha premtimet e saja dolën të jenë gënjeshtra, apo transmetim i gënjeshtrave të institucioneve.
Në anën tjetër, Vehid ibrahimi, kryetar i Këshillit, ka pohuar faktin që qytetarët e kanë anashkaluar Këshillin dhe i kanë adresuar drejtpërdrejt kërkesë zyrës ës kryetarit. Ai ka bërë të ditur për Portalin 2LONLINE, se ka pas takim me banorët e këtyre tri fshatrave dhe siç shprehet ai: ”Me plotë të drejtë më kanë bërë për pesë pare”. Ai thotë se kanë të drejtë banorët në kërkesat e tyre, por që sipas tij, faji nuk është i Këshillit e as i tij si kryetar, sepse e ka bërë punën e tij siç duhet, duke i adresuar kërkesat dhe nevojat e banorëve tek institucionet përkatëse, e të cilat janë ato që duhet dhënë përgjigje duke i përmbushur ato. /2L ONLINE/
Vehid Ibrahimi