Ka disa dhjetëvjeçarë që në shkollat e Kosovës, duke përfshirë edhe ato të Gjilanit, është bërë traditë organizimi i ekskursionit të nxënësve apo maturantëve. Për të diskutuar mbi ekskursionin, ‘ma çeli gojën’ dhe m’u dhimbsën nxënësit, kur dëgjova që ishin në protestën dyorëshe duke braktisur procesin e rregullt mësimor dhe duke shprehur mllefin e tyre përballë DKA-së.
Shkruan: Flurim Arifi
Mësimdhënësit dhe maturantët sërish u ballafaquan me menaxhimin e dobët të ekskursioneve nga organet përgjegjëse komunale të Gjilanit, duke mos u realizuar ekskursioni për javën e fundit të këtij shtatori, ashtu siç e prisnin nxënësit, apo maturantët. Komuna e Gjilanit (KGJ) dhe DKA, si dhe drejtorët e shkollave duhet të krijojnë një program të qartë të ekskursionit shkollor, i cili parasheh jo vetëm një ekskursion, por edhe më shumë, varësisht nga linjat buxhetore.
Ekskursioni i maturantëve, realisht dhe financiarisht bëhet nga vetë nxënësit, përkatësisht familjet e tyre, dhe ndonëse paguajnë, sërish u dalin sfida, vonesa, pengesa dhe bllokime të paarsyeshme.
Ekskursioni për nxënësit
Ekskursioni për nxënësit është kulmi i gëzimit, haresë, kënaqësisë e lumturisë. Kjo kënaqësi është e veçantë, e papërsëritshme. Është edhe mallëngjim, pikëllim e dhembje e madhe që do të ndahen me njëri-tjetrin, përkatësisht me shokët e shoqet e klasës, si dhe mësimdhënësit. Një orë me na humb, mërzitemi, sepse mësohemi me të, e lëre më të na ndajnë rrugët e jetës me shokët e shoqet e klasës!
Të gjithë kemi qenë nxënës dhe e dimë sa e padjallëzuar është miqësia në nivelin parauniversitar. Të gjithë jemi nostalgjikë për këtë periudhë jetësore! DKA tashmë e ka këtë përvojë disavjeçare dhe duhet të ri-mendojë menaxhim më efikas, e jo sikur ditën e parë të kësaj jave, të ballafaqohen me protestë të maturantëve, duke braktisur orën mësimore.
Ekskursioni për nxënësit llogaritet pika më motivuese e vijimit shkollor. Mezi presin të fotografohen e të ndajnë fotografitë në mediet sociale, dhe pas disa vjetësh, sërish t’i rikthehen “Takimit të gjeneratës”, dhe ndarjes së sërishme të fotografive të vjetra!
Unë i mbroj nxënësit për ekskursion! E di se për ta, nuk ka moment më ngazëllyes, sesa ndejat me shokët e shoqet e klasës, mësimdhënësit dhe kujdestarët e klasave, pa protokoll, për disa ditë në Shqipëri.
Është thyerje e grilave zyrtare në raportin nxënës-nxënës, nxënës-mësimdhënës dhe nxënës-kujdestarë. Ne para se të jemi nxënës, mësimdhënës, jemi njerëz, me dëshira të forta për krijim të miqësive dhe ndarjen e argëtimit të lirë me ta. Natyrisht se ka edhe anë devijuese në këto raporte, por janë përjashtime dhe me to, vetëm duhet menaxhuar me kujdes, përkushtim dhe profesionalizëm.
E ardhmja e ekskursioneve
Ka disa që thërrasin për ndalimin e ekskursioneve. Është e drejtë e secilit dhe secilës të shpreh opinione dhe të ndihmojë në hartimin e një panorama sa më të mirë edukative-arsimore të ekskursioneve shkollore. Por ekskursionet jo që duhet të ndalen, por të bëhen sa më të larmishme dhe sa më të shpeshta. Vetëm izolimi është i rrezikshëm dhe i egërson njerëzit, por jo edhe hapja, dalja, vizitat jashtë vendit!
Ekskursionet duhet të jenë me karakter të larmishëm: edhe argëtues, edhe edukues, edhe studimor e shkencor etj. Nxënësit duhet të mësohen ta duan trashëgiminë kulturore dhe historike të një vendi ku bëjnë ekskursion. Nxënësit duhet të bëjnë ekskursione, duke marrë përvojat e nxënësve të shkollave jashtë vendit. Nxënësit duhet të bëjnë vizita të vendeve historike, për të dashur historinë e kombit të tyre. Nxënësit duhet të bëjnë ekskursione, me temë vetëm diversitetin kulturor, duke u njohur me kulturat e shumëllojshme.
Nëse dikur ekskursioni ka pasur edhe karakter kryesisht patriotik, tash vizitat e tilla dhe kultivimin e dashurisë për Shqipërinë, e realizojnë edhe vetë familjet tona, ku mbi 1 milion kosovarë, për çdo vit, e vizitojnë bregdetin shqiptar.
Ndërsa sa i përket tenderëve e përfitimeve të tjera, loja e vonesat e ekskursioneve shkollore janë të papranueshme dhe është koha që nxënësit të mos i mërzisim më, me bllokime të tilla.
Unë i mbështes nxënësit për ekskursion dhe pikëllohem për ta, kur i shoh të mërzitur që akoma nuk shkuan në ekskursion!