Në përmbylljen e aktiviteteve të “Javës së Bujqësisë” në Komunën e Gjilanit, pos kryetarit Alban Hysenit dhe drejtorit për Bujqësi Bajram Isufit, ishte edhe zëvendës ministri i Bujqësisë, Pylltarisë e Zhvillimit Rural Imri Demelezi.
Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, tha se “Javën e Bujqësisë”, po e përmbyllin së bashku me zv. ministrin e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Imri Demelezi në një vizitë tek fermeri Rasim Gjyrishevci në fshatin Përlepnicë.
“Së bashku me zëvendësministrin ripotencuam të arriturat e mëdha në fushën e bujqësisë duke filluar nga transparenca dhe meritokracia, të cilat kanë qenë kyçe për rikthimin e besimit të fermerëve dhe qytetarëve në institucionet e Kosovës”, tha Alban Hyseni.
Sipas tij vetëm në Komunën e Gjilanit, gjatë këtij mandati (2021 – 2024) janë ndërtuar 196 serra apo 21,300m2, që paraqet një rritje të jashtëzakonshme krahasuar me qeverisjet paraprake ku për 8 vjet (2013-2021) ishin ndërtuar vetëm 112 serra apo 18,500m2.
“Zotohemi së bashku që bujqësia do të jetë prioritet mbi prioritete”, tha kryetari Alban Hyseni. /2LONLINE/