Profesionistët e rinj shëndetësorë të punësuar kohët e fundit në Gjilan, janë takuar me kryetarin e komunës Alban Hysenin, u.d të drejtorit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale Hekuran Rapucën dhe me u. d të drejtorit të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare Basri Kamberin.
Ata janë inkurajuar dhe kanë marr mbështetje nga i pari i Gjilanit për ofrimin e shërbimeve sa më të mira për qytetarët.
Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni tha se 51 profesionistë të rinj shëndetësorë së fundmi janë punësuar në Gjilan.
“Kënaqësi e veçantë që sot takova disa nga profesionistët shëndetësorë, të punësuar së fundmi në qytetin tonë. Brenda këtij mandati, kemi arritur të sjellim 51 shërbyes të rinj në sektorin e shëndetësisë – një hap ky i rëndësishëm jo vetëm për Gjilanin, por për tërë Kosovën”, tha Alban Hyseni.
I pari i Gjilanit, shtoi se vazhdojnë të qëndrojnë të përkushtuar pas zotimit të tyre që asnjë i diplomuar në fushën e shëndetësisë të mos mbetet pa punë. /2LONLINE/