“Për të dytin vit me radhë, komuna po vazhdon mbështetjen për bizneset lokale, në kuadër të “Fondit për subvencionimin e bizneseve start-up dhe bizneset e grave 2024”, që ka për qëllim zhvillimin ekonomik”, ka thënë kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni.
Ai bëri të ditur se ka nënshkruar kontratat me 28 përfitues, prej tyre 7 gra ndërmarrëse të cilat do zgjerojnë bizneset e tyre.
“Fondi për ndërmarrësit e rinj u finalizua për të dytin vit radhazi, me një buxhet total prej 248 mijë euro”, tha Alban Hyseni.
Kryetari i Gjilanit, theksoi se 28 përfitues në total, prej të cilëve 7 janë biznese të grave që kanë aplikuar për zgjerimin e biznesit.
“Po vazhdojmë mbështetjen për të rinjtë, për gratë dhe për ndërmarrësit e qytetit tonë”, tha Alban Hyseni.
Edhe drejtori për Zhvillim Ekonomik, Enver Shabani, tha se po vazhdon mbështetja për bizneset.
Shabani, ju ka uruar mirëseardhje të pranishmëve, ndërsa përfituesve iu ka uruar implementim të suksesshëm të projekteve të tyre.
Sipas tij, gjatë kësaj thirrje publike numri i aplikantëve ka qenë 82 aplikues ku kanë përfituar 21 biznese Start Up dhe 7 përfituese gra ndërmarrëse, gjithësej 28 përfitues nga thirrja publike “Fondi për subvencionimin e bizneseve start-up dhe bizneseve të grave 2024” ku shuma e subvencioneve arrin vlerën 113,000.00 € për vitin 2024.
Shabani tha se Drejtoria për Zhvillim Ekonomik në planin buxhetor për vitin e ardhshëm ka planifikuar një rritje prej 220,000.00 € për subvencionimin e bizneseve të reja Star UP dhe Bizneset Ekzistuese të Grave Ndërmarrëse.
“Synimi kryesor i Drejtorisë për Zhvillim Ekonomik është zhvillimi i ekonomisë lokale përmes mbështetjes për bizneset e reja dhe ato ekzistuese duke ju ofruar mbështetje në ngritjen e kapaciteteve dhe avancime të reja teknologjike në pajisje dhe makineri të nevojshme në procesin e punës.
Po ashtu përmes mbështetjes financiare nga Komuna e Gjilanit për vitet në vazhdim synojmë krijimin e bizneseve të reja ku do të ndikoj në zvogëlimin e papunësisë të qytetarëve të Gjilanit”, ka thënë drejtori për Zhvillim Ekonomik, Enver Shabani. /2LONLINE/