Ministri i deritanishëm i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, i ka dorëzuar sot detyrën ministres së re të këtij dikasteri, Hykmete Bajrami.
Me këtë rast, ministri Bytyqi uroi ministren Bajrami për detyrën e re dhe uroi që të ketë sukses në punën në këtë sektor të rëndësishëm të jetës në Kosovë.
Ndërsa, pas pranimit të detyrës, ministrja Hykmete Bajrami theksoi se, ka pranuar një përgjegjesi të madhe në një sektor ku gjendja tashmë është e konstatuar. “Situata në sektorin e arsimit është shumë e keqe. Ne e marrim këtë punë si shumë me përgjegjësi dhe jam e sigurtë se do të kemi edhe përkrahjen e plotë të Qeverisë në mbështetjen qoftë buxhetore, qoftë në sigurimin e pavarësisë së plotë të institucioneve”, theksoi Ministrja.
Ministrja Bajrami, ndër të tjera, përmendi përjashtimin e Kosovës nga disa institucione të rëndësishme evropiane. “Do të bëjmë përpjekje maksimale që të ripranohemi sa më shpejt te këto institucione, si te EQAR dhe ENQA, të cilave do t’ju të garantojmë që nuk do të ketë ndërhyrje politike dhe do të ketë njerëz profesionistë që punojnë në zbatim të ligjit”, tha ajo, ndërsa theksoi se do të punohet me të gjithë akterët dhe partnerët, në mënyrë që të përmirësohet gjendja në sektorin e arsimit.