/E PLOTËSUAR/ – Komuna e Kamenicë është duke u munduar në vazhdimësi që për shkak të situatës së krijuar nga pandemia COVID-19, t’i mundësoj të gjithë nxënsëve që jetojnë në zona të thella dhe atyre që kanë kushte jo të mira ekonomike që të ndjekin mësimet nga distanca.
Kryetari i Komunës Qëndron Kastrati ka pritur në takim përfaqësuesin e organizatës “Humanity First, degë e AMJ” Jinahhudin Saif me të cilën kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi për dhurimin dhe shpërndarjen e pajisjeve teknologjike për fëmijët në nevojë.
Kastrati duke falënderuar organizatën “Humanity First, degë e AMJ”, ka thënë se janë duke u munduar që t’u bëhet zgjidhje të gjithë nxënsëve që kanë nevojë për pajisje teknologjike.
“Humanity First dhuron 23 tabletë për nxënësit e Kamenicës. Këto pajisje do t’u dërgohen fëmijëve me gjendje jo të mirë ekonomike, e që nuk mund ta ndjekin mësimin nga distanca, në këtë kohë pandemie. Falënderoj organizatën “Humanity First, degë e AMJ” për donacionin dhe Premtim Fazliun për angazhimin. Shpresoj që sa më shpejt t’u bëjmë zgjidhje të gjithë nxënësve që kanë nevojë për pajisje teknologjike”, ka thënë ai.
Këto pajisje do t’i mundësojnë dhe lehtësojnë zhvillimin e mësimit online apo mësimit në distancë, nëpërmjet platformës “E-MËSIMI”.