Në pritje të vendimit nga Gjykata Kushtetuese

Në pritje të vendimit nga Gjykata Kushtetuese

Krizat politike vazhdojnë ta përcjellin Kosovën edhe pas kaq shumë kohësh. Dikush, mund edhe të thotë se këto ndodhin nga papërgjegjshmëria e politikanëve, demokraci e brishtë në një shtet të ri 12 vjeçar, etj; por unë them se edhe në demokracitë e shteteve, te cilat që shumë kohë janë konsoliduar, përballen ndonjëherë me kriza politike edhe me të rënda se kaq.

Shkruan: Magbule Shkodra

Do të ishte mirë, që të paktën të mësojmë nga këto kriza, dhe një ndër gjërat kryesore do të duhej të ishte ndërtimi i rastit bazuar në argumente, duke mos lejuar politizim dhe mbjellje të urrejtjes ndër qytetare.

Pas mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë, kam menduar se do të ishte e rrugës që ndoshta për një periudhë kalimtare të kishim një qeveri të unitetit e cila do të funksiononte deri sa të tejkalonim situatën me pandemi dhe e cila në ndërkohë do të angazhohej për një reformë zgjedhore. Por tani më kjo çështje është në duar të Gjykatës Kushtetuese dhe cili do që të jetë vendimi i saj do të duhet të pranohet nga të gjitha partitë politike. Kështu të paktën do të dëshmonim se institucionet tona dhe vendimet e tyre respektohen pavarësisht a na pëlqejnë apo jo.

Kërkesa që të shkohet në zgjedhje pa një reformë thelbësore në rregullat e zgjedhjeve do të ishte tejet e dëmshme për Kosovën. Shpresoj që nuk i keni harruar zgjedhjet e kaluara. Përkundër se kishim një proces të mirëfilltë zgjedhor, procesi i numërimit degradoj aq shumë sa që më edhe shakat ndërtoheshin mbi numërimin dhe rinumërimin e stërzgjatur e më dyshime, dhe me konspiracione nga më të ndryshmet.

Ka vite qe flitet për një reformë zgjedhore por që e njëjta në asnjë mënyrë nuk po mund të filloj. Arsyet janë nga më të ndryshmet por më të shpeshtat se partitë politike nuk e dëshirojnë reformën zgjedhore. E përderisa shpesh dëgjoj ketë lloj arsyetimi po ju drejtohem juve qytetarë të nderuar. A mundeni ju të kërkoni reformë zgjedhore për të mirën e shtetit tonë. Sikur të gjithë ju të deklaroheshit se nuk do të merrni pjesë në zgjedhje pa pasur një reformë zgjedhore ndoshta edhe do të mund te bëhej një gjë e tillë.

“Insanity is doing the same thing over and over again and expecting different results.” besoj qe e keni dëgjuar dhe ose lexuar këtë thënje të Albert Einstein. Pra do te ishte çmenduri që duke përsëritur të njëjtën gjë (pra mënyrën dhe përbërësit) të presim rezultate tjera.

Në Kosovë përbërësit, pra partitë politike janë ato që janë, të njëjta për gati 20 vite, e vetmja gjë që mund të ndryshojmë është metoda pra mënyra se si do të organizoheshin zgjedhjet dhe kuptohet ndarja në zona zgjedhore do të ishte zgjidhja më kuptimplote për reformën. Kështu do të arrinim që të kishim kualitet në qeverisje dhe llogaridhënie të atyre që përfaqësojnë.

Prandaj, duhet kuptuar edhe kundërshtimin e shumë njerëzve të çfarëdo kërkese për organizim të zgjedhjeve, pa reformë zgjedhore. Konsideroj se, të gjithë ata që kërkojnë një gjë të tillë, nuk e dëshirojnë të mirën e këtij vendi dhe kanë për qëllim të shfrytëzojnë situatën e cila fatkeqësisht është mjaft e polarizuar, që vetëm të marrin pushtet, por të mos prodhojnë qeverisje të mirë dhe të bëjnë përfaqësim adekuat.

KOMENTE