Lidhur me sondazhet e fundit në disa media, të cilat e rangojnë në një pozitë të pafavorshme Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), kandidati i saj për kryeministër, Avdullah Hoti ka thënë para mediave në Gjilan, se nuk duhet shikuar sondazhet e tilla, sepse vota e qytetarit nuk është, siç tha ai, “një llajk në fejsbuk”, por është një besim, shkruan Portali 2LONLINE.com.
“Mos i shihni sondazhet. Vendimi i qytetarëve ka me ndodhur me 14 shkurt. Vota e qytetarëve nuk është sikurse një llajk në fejsbuk, ose si një klikim në rrjete të ndryshme sociale. Vota e qytetarëve është besim dhe besimi vjen nga puna që është bërë deri më tani”, ka thënë Hoti.
Ai shtoi se i ka vizituar të gjitha strukturat e LDK-së anekënd Kosovës dhe, siç u shpreh, janë në top-formë sa i përket organizimit. Rezultati do të shihet me 14 shkurt dhe se është i bindur plotësisht se, LDK-ja do të dali fituese në këto zgjedhje. /2LONLINE.com/