Ish-kryeministri i Kosovës, tash deputet nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Avdullah Hoti ka komentuar 100 ditëshin e parë të Qeverisë Kurti, shkruan Infosot.com
Hoti, në një prononcim për Infosot.com tha se qeverisja e dobët e Qeverisë Kurti ka qenë e pritur qysh nga fillimi.
Kryeministri aktual, Albin Kurti më 15 qershor kishte zhvilluar takime me presidentin e Serbisë Aleksandar Vuciq, me të ngarkuarin e BE për Politikën e Jashtme, Josep Borrell dhe përfaqësuesin e BE për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosav Lajçak.
Ish-shefi i ekzekutivit, ka adresuar pakënaqësi ndaj Kurtit pasi thotë se kjo temë është kthyer në prioritet për Kurtin i cili në kohë fushate e thoshte të kundërtën. Ndërsa, thekson se me qasjen e Kurtit pas takimit në Bruksel, vendi po shkon drejt një marrëveshje të paqartë.
“Në 100 ditët e para, qeveria ka pasur një fillim të dobët siç është pritur. U konfirmua se kauzat e ndërtuara me vite, përmes një opozitarizmi shpeshherë të dhunshëm, kanë qenë vetëm për qëllime elektorale. Në çështjet kryesore politike të vendit kanë treguar jo konsistencë dhe qasje që e dëmton vendin në afat të gjatë. Dialogu është kthyer në prioritet. Qasja e ndjekur nga Qeveria, siç është prezantuar pas takimit në Bruksel në mesin e qershorit, nënkupton se po shkojmë drejt një marrëveshje të paqartë që nuk e zgjidh problemin në mes të dy vendeve” thotë Hoti.
Hoti në cilësinë e ekspertit të ekonomisë thotë se Kurti nuk ka asnjë plan në mbështetjen e ekonomisë së dëmtuar nga pandemia e COVID-19.
“Në fushën e mbështetjes së ekonomisë të dëmtuar nga pandemia, nuk ka asnjë plan edhe pas 100 ditëve në qeverisje. Në politikat ekonomike nuk ka qartësi për bizneset dhe investitorët e brendshëm dhe të jashtëm. Përpjekja për rritje të ndikimit të shtetit në ekonomi, përmes rritjes së kontrollit në sektorin e ndërmarrjeve publike dhe bankës zhvillimore, dërgon sinjale shqetësuese për investitorë dhe për sektorin e bankave dhe financiar në përgjithësi”- përfundon Hoti.
Sa i përket menaxhimit të pandemisë, Avdullah Hoti e cilëson si skandaloz vonesën e nënshkrimit të kontratës për blerjen e vaksinave antiCOVID-19.
“Në fushën e menaxhimit të pandemisë, u vonua kontrata e vaksinave për 3 muaj pa asnjë arsye, edhe pse çdo gjë ishte gati për nënshkrim kur e kanë marrë detyrën. Menaxhimi me rastin e fillimit të vaksinimit të qytetarëve ishte skandaloz (siç ndodhi me grumbullimin e të moshuarve tek salla 1 Tetoti në Prishtinë) dhe askush nuk dha përgjegjësi”.
Për Marrëveshjen e Washingtonit Hoti shprehet se Qeveria ka paqartësi rreth kësaj marrëveshje dhe si rrjedhojë e qon Kosovën drejt izolimit. Ndërsa ka rezerva edhe ndaj Ministrisë së Punëve të Jashtme të cilën e udhëheqë Donika Gërvalla e cila sipas Hotit që nga fiilimi është përcjellur me skandale.
“Paqartësia e Qeverisë lidhur me Marrëveshjen e Washingtonit po e qon Kosovën drejt izolimit. Është dëm i madh nëse kjo marrëveshje nuk zbatohet sipas ritmit të planifikuar. Administrata e re e Presidentit Biden e ka konfirmuar se do ta zbatojë, sepse është në interesin më të mirë të të dyja shteteve dhe në përputhje me interesat e SHBA-së në Ballkanin Perëndimor. Po ashtu, administrata e Presidentit Biden ka ndarë 200 milionë euro për zbatim të projekteve të kësaj marrëveshje.Skandalet e zyrtarëve të Qeverisë nuk kanë të ndaluar. Ministria e Jashtme ka shkaktuar situata të papërshtatshme dhe të dëmshme në disa takime ndërkombëtare. Ministrat konfrontohen me deputetë në vend që të japin përgjigje dhe informata për çështjet e ngritura nga deputetët” tha Avdullah Hoti
BURIMI: Infosot.com