Një ditë pasi Federata e Futbollit e Malit të Zi e shkarkoi nga posti i trajnerit të ekipit kombëtar, për shkak se nuk kishte pranuar ta udhëhiqte skuadrën kundër Kosovës, Ljubisa Tumbakovic, thuhet të jetë kandidat për pozitën e trajnerit të Serbisë.
Tumbakovic, bashkë me dy futbollistë me prejardhje serbe – vendosen të mos merrnin pjesë në ndeshjen e Malit të Zi kundër Kosovës e vlefshme për kualifikime në Kampionatin Evropian 2020, e cila përfundoi pa fitues 1:1 të premten në Podgoricë – për shkak të presionit të madh politik nga Beogradi.
Si pasojë, Federata malazeze e shkarkoi Tumbakovicin nga posti i trajnerit një ditë pas ndeshjes. Tani që ai është i papunë, spekulohet se mund ta marrë drejtimin e Kombëtares së Serbisë.
‘Vijesti’ në Mal të Zi shkruan se Tumbakovic është ndër dy kandidatët me serioz për postin e trajnerit të Serbisë, bashkë me Dragan Stojkovicin.
Serbia u turpërua nga Ukraina duke u mposhtur bindshëm 5:0 në një ndeshje kualifikuese për Kampionatin Evropian 2020 dhe e ardhmja e trajnerit Mladen Krstajic është në dyshim të madh.