Me rastin e 28 nëntorit, 111-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, bashkë me kryeparlamentarin, Glauk Konjufca, kanë bërë homazhe te Kompleksi Memorial “Adem Jashari” në Prekaz….
Postimi i presidentes Osmani:
Sot, bashkë me Kryetarin Konjufca, ministra e deputetë, i bëmë homazhe trashëgimisë së shquar të kryeheroit dhe komandantit të UÇK-së, Adem Jashari, familjes Jashari si dhe heroit Isa Boletini. Këto dhe shumë figura të tjera të jashtëzakonshme të historisë sonë, u bënë emblemë e lirisë dhe e pavarësisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë.
Guximi, sakrifica dhe përkushtimi i tyre për kombin tonë janë trashëgimi e përhershme dhe udhërrëfyese për brezat.
Lavdi jetës dhe veprës së Adem Jasharit, Isa Boletinit dhe gjithë dëshmorëve të kombit tonë!