Shkrim drejtuar gazetarëve dhe atyre që merren me politikë
Shkruan: Bardhyl Mahmuti
Në serinë e shkrimeve që kam publikuar dhe që do t’i publikoj me qëllim të harmonizimit të terminologjisë lidhur me krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë sot do të përqendrohem në trajtimin e termeve që në gjuhën e përditshme është bërë e zakonshme të përdoren si të ishin sinonime të gjenocidit. Fillimisht do të ndalem në nocionin “holokaust”, që ka një shtrirje në përmasa botërore.
Fjala “holokaust”, që është me origjinë greke, ka gjetur përdorim të madh që nga shekulli i II para epokës sonë, kur për herë të parë u përkthye në këtë gjuhë Bibla e Judaizmit (Torah).
Në kuptimin biblik të asaj që quhet “Testamenti i vjetër”, “holokausti” paraqet një flijim të veçantë që bëhet për hir të Zotit. Veçantia e “holokaustit” qëndron në faktin se kafshët e flijuara nuk hahen, por digjen tërësisht si kushtim për perëndinë.
Ky term filloi gradualisht të zërë vend edhe në rastet kur ushtrohej dhuna kundër hebrenjve. Kështu, shkrimtari dhe publicisti francez me origjinë hebraike Bernard Lazare në veprën e vet të titulluar “Antisemitizmi-historia dhe shkaqet e tij” të botuar në vitin 1894 shkruan: “Kur kryqtarët niseshin të çlironin Kishën e Varrit të Shenjtë, ata përgatitnin luftën e shenjtë me flijimin e hebrenjve; Kur murtaja e zezë ose uria bënte kërdi sakrifikoheshin hebrenjtë si holokaust për perëndinë e zemëruar; kur popullin e tmerronin të këqijat, mjerimi dhe uria ata hakmerreshin kundër hebrenjve; prifti Pierre de Cluny deklaron se nuk na duhet të shkojmë të luftojmë kundër myslimanëve, kur i kemi në mesin tonë hebrenjtë, që janë më të këqij se myslimanët. Çka të bëjmë tjetër kundër epidemisë, pos të vrasim hebrenj të cilët bëjnë komplot me të sëmurit nga lebra për të helmuar burimet e ujit. I zhdukin në York, në Londër, në Spanjë, në Islai, në Poloni, në Francë në Moravi, në Austri. I djegin në Strasburg, në Mayance, në Troyes; në Spanjë djegin me mijëra hebre; në vende të tjera ua shqyejnë barkun me tërfurk dhe me kosë, i vrasin si qen” (Bernard Lazare, L’Antisémitisme, son histoire et ses causes, Édition de l’AAARGH, 2002 1894, f.62).
Me ardhjen e nazistëve në pushtet në Gjermani populli hebre u ballafaqua me politikën e quajtur “zgjidhja përfundimtare e çështjes hebraike” (në gjermanisht: Endlösung) që kishte për qëllim asgjësimin e të gjithë pjesëtarëve të këtij grupi etnik e religjioz.
Duke mos e kuptuar se bëhej fjalë për një program të detajuar për asgjësimin totale të hebrenjve, shkrimtari francez me origjinë hebraike Max Jakob, në letërkëmbimet e tija të vitit 1937, përdorë termin “holokaust” dhe idenë e një sakrifice kushtuar Zotit. Ai nuk e dinte se do të përfundonte në një varrezë masive si n° 15872.
Nuk ishin vetëm hebrenjtë që nuk gjenin term adekuat për të përkufizuar tmerret e planifikuara dhe të ekzekutuara nga nazistët gjerman ndaj tyre, por askush nuk dinte si ta emëronte atë që ishte duke ndodhur fillimisht me hebrenjtë e më vonë edhe me romët. Si ilustrim do të përmend kryeministrin e atëhershëm të Britanisë së Madhe, Wilson Churchill. Në një fjalim të mbajtur gjatë vitit 1943 i deklaroi: “Jemi duke parë një krim që nuk ka emër”.
Disa muaj pas këtij fjalimi radiofonik të Wilson Churchillit, juristi hebre Rafael Lemkin krijoi fjalën “gjenocid”, si nocion të ri për të emëruar këtë lloj të krimeve. Për këtë neologjizëm, Rafael Lemniku përdori fjalën greke “genos” , që do të thotë “fis”, dhe fjalën latine “cide”, që do të thotë “vrasje”.
Fillimisht termi “gjenocid” përfshinte aktet e dhunës që ishin të drejtuara kundër pjesëtarëve të një grupi kombëtar dhe shumë shpejtë ky nocion gjeti një përhapje të madhe, sidomos pas publikimit të shkrimit të Lemnikut të titulluar “Gjenocidi” në gazetën prestigjioze “The Washington Post”, të datës 3 dhjetor 1944.
Për historianët e mendimit juridik është me interes të madh të shihen debatet që u zhvilluan lidhur me përkufizimin e këtij krimi, veçanërisht debatet që u zhvilluan në kuadër të sesioneve të Këshillit Ekonomik dhe Shoqëror të Kombeve të Bashkuara. Një sintezë të shtyllave kryesore rreth të cilit artikuloheshin debatet lidhur me çështjen e parandalimit dhe ndëshkimit të krimit të gjenocidit gjendet edhe në studimin e raportuesit special të kësaj organizate Nicodème Ruhashyankiko (United Nations, Economic and Social Council, Nicodème Ruhashyankiko, Study of the question of the prevention and punishment of the crime of gjenocide, studim që është në gjuhën angleze dhe atë frënge).
Në këtë shkrim do të kufizohem në rezultatin final të këtyre debateve. Miratimi i Konventës për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit, më 9 dhjetor 1948, e shndërroi nocionin “gjenocid” në kategori juridike.
Përkufizimi juridik i gjenocidit, si kategori e të drejtës penale ndërkombëtare, zgjeroi fushën kuptimore të akteve të dhunës që mbulon ky nocion. Konventa e lartpërmendur përfshinë në nocionin gjenocid kryerjen e cilitdo nga krimet e numëruara në nenin II të kësaj konvente: a) vrasja e anëtarëve të grupit;(b) cenimi i rëndë i integritetit fizik ose mendor i anëtarëve të grupit; (c) vënia e grupit qëllimisht në kushte të tilla të jetës, që sjellin zhdukjen e plotë fizike ose të pjesshme të tij; (d) ndërmarrja e masave për pengimin e lindjeve brenda grupit; dhe
(e) transferimi i dhunshëm i fëmijëve nga njëri grup në tjetri kur krimi është bërë me qëllim që të shkatërrohet tërësisht ose pjesërisht një grup kombëtar, etnik, racor ose fetar, si i tillë.
Pra, përveç dhunës kundër një grupi kombëtar, në nocionin gjenocid përfshihen aktet e lartpërmendura të krimeve, nëse ato kanë për qëllim të shkatërrojnë tërësisht ose pjesërisht edhe një grup etnik, racor ose fetar si të tillë.
Përveç nocionit “gjenocid”, termi “holokaust” përdorej për të emëruar vrasjen e mbi 6 milion hebrenjsh gjatë Luftës së Dytë Botërore. Seria televizive amerikane me titull “Holocaust”, e realizuar nga Marvin Chomsky në prill të vitit 1978, i dha një shtytje të madhe përdorimit të këtij termi.
Aktualisht me dhjetëra muze anë e kënd globit mbajnë përdorin në emërtimet e tyre termin “holokaust”. Mirëpo, përdorimi i gjeneralizuar i këtij termi nuk ia shton vërtetësinë kësaj fjale.
Përdorimi i termit teologjik “holokaust” për të emëruar krimet e ideologjisë naziste që kishte për qëllim asgjësimin e hebrenjve jo vetëm që është i gabueshëm, por është tejet fyes për çdo hebre. Është fyes për arsye se krimit më të shëmtuar që kishte ndodhur gjatë shekullit të XX i jepet dimension hyjnor, sikur të kishim të bënim me ndonjë ndëshkimi për hir të Zotit. Pikërisht këtu qëndron revolta e madhe e disa autorëve me origjinë hebraike që kërkojnë të dënohet përdorimi i termit “holokaust” për të emëruar këtë krim.
Nocioni i dytë me të cilin është munduar të zëvendësohet termi “holokaust” është fjala hebraishte “shoah”, që në disa gjuhë përkthehet me fjalën “katastrofë”.
Që nga 12 prilli i vitit 1951 termi “shoah” është emri zyrtar me të cilin shteti i Izraelit emërton tragjedinë që populli hebre përjetoi gjatë Luftës së Dytë Botëror dhe gjithnjë e më shumë ky term kufizohet vetëm për gjenocidin nazist kundër popullit hebre.
Edhe ky term është përhapur në përmasa botërore falë ekraneve televizive. Pas shfaqjes së filmit dokumentar “Shoah” në vitin 1985, që i kushtohet vrasjeve masive të hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore, përdorimi i fjalës “shoah” kaloi kufijtë e Izraelit.
Që të kuptohet rastësia e përdorimit të një fjale dhe përhapja e saj në përmasa shumë të mëdha sikur vërtetë të pasqyronte realitetin e fenomeneve që mundohet t’i përshkruajë, do të citoj pjesë nga intervista e realizuesit francez të këtij filmit, Claude Lanzmann. Në intervistën me gazetarin e njohur Jean-Pierre Elkabbach, realizuesi i filmit deklaron se gjatë punës dymbëdhjetëvjeçare për këtë film ai nuk i kishte vënë asnjë emër, sepse mendonte që “nuk mund t’i vihej emër asaj që nuk mund të emërohet. Në fund përzgjodha fjalën hebraike ‘shoah’, për arsye se nuk e kuptoja domethënien e saj. Shoah është një fjalë të cilën rabinët e kishin gjetur në Bibël dhe që kishte kuptimin e një katastrofe, shkatërrimi dhe madje mund të jetë gjithashtu një katastrofë natyrore. Cunami është një fenomen i shoah” (Intervista e publikuar në gazetën “Libération” të datës 24 janar 2005).
Përkundër asaj se edhe vetë shteti i Izraelit përdor zyrtarisht termin “shoah”, përdorimi i një termi që ka lidhje me katastrofat natyrore për një tragjedi të shkaktuar nga njerëzit, ka revoltuar një numër të konsiderueshëm autorësh hebre.
Në krahasim me “holokaustin”, termi “shoah” përdoret shumë më pak në gjuhën shqipe. Megjithatë, nocioni “gjenocid”, si kategori juridike e të drejtës penale, është nocioni më adekuat për të emërtuar krimet që nuk kanë asgjë të përbashkët me flijimet për perënditë e as me katastrofat natyrore: nocioni “gjenocid” ngërthen në vete krimet e kryera gjatë zbatimit të një politike që ka për qëllim të shkatërrojë tërësisht ose pjesërisht një grup kombëtar, etnik, racor ose fetar si të tillë.