Përzgjedhësi i Anglisë, Roy Hodgson, ka deklaruar se talenti i Manchester Unitedit, Adnan Januzaj, nuk pritet ta veshë fanellën e “Tre Luanëve” në një të ardhme të afërt. Hodgson e çmon talentin e futbollistit shqiptar me origjinë nga Kosova, por ka lënë të kuptohet se afrimi i Januzajt në kombëtaren angleze nuk është aq i thjesht.
Ai ka bërë të ditur se është Bordi i Federatës së Futbollit të Anglisë, ai, i cili duhet të vendosë nëse lojtarët e huaj të lindur jashtë Anglisë si rasti i Adnan Januzajt mund ta përfaqësojnë kombëtaren e “Tre Luanëve”. Për shërbimet e Januzajt janë të interesuara Belgjika, Shqipëria, Turqia dhe së fundmi edhe Kosova, e cila pas autorizimit të FIFA-s për ndeshje miqësore synon ta ketë këtë talent të madh në radhët e saj.
Anglia po ashtu është shumë e interesuar, por Januzaj duhet të presë deri në vitin 2018 nëse dëshiron të luajë për Anglinë. Gjithsesi edhe kjo ide është e komplikuar për faktin e rregullave të FA-s dhe FIFA-s. “E gjitha çfarë mund të them është se kjo çështje i takon Bordit të FA-s, pasi kjo ngrit edhe shumë çështje tjera. Derisa Bordi i FA-s ta ketë një ide të qartë se cila do të jetë politika e tyre, nëse kjo do të jetë thjesht ndjekja e rregullave të FIFA-s apo ndonjë formë tjetër, mua më mbetet të vëzhgoj situatën dhe të pres”, ka theksuar Rodgers, për të shtuar: “Por një gjë të cilën duhet ta kuptoni në rastin e Januzajt është se pavarësisht rrugës që do të ndjek Anglia, me rregullat që ekzistojnë për momentin, nuk ka gjasa që ai të luajë për Anglinë për disa vite të ardhshme”.