Kompania Rajonale për Ujë, KRU “Hidromorava”, Menaxhmenti i Kompanisë, është shprehur falënderuese ndaj institucioneve për asfaltimin e rrugës deri te Liqeni Akumulues dhe Fabrika për Trajtimin e Ujit në Përlepnicë, me këtë rast ajo ka adresuar një letër falënderim në adresë të kryetarit të Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, transmeton Portali 2LONLINE.com.
Ja letra e plotë:
KRU “Hidromorava” SH.A – Gjilan
Menaxhmenti i Kompanisë
Letër Falënderimi për asfaltimin e rrugës deri te Liqeni Akumulues dhe Fabrika për Trajtimin e Ujit në Përlepnicë
Drejtuar: z.Lutfi Haziri, Kryetar i Komunës së Gjilanit
I nderuar Kryetar,
Menaxhmenti i KRU “Hidromorava” Sh.A. Gjilan në emër të personelit të kompanisë me anë të kësaj letre dëshiron të shpreh falënderim për asfaltimin e rrugës deri te Akumulacioni në Përlepnicë.
Liqeni akumulues në Përlepnicë është aseti më vital sa i përket furnizimit me ujë për qytetin e Gjilanit, andaj investimet si këto në infrastrukturë nga ana Komunës së Gjilanit tregon përkushtimin dhe përkrahjen që po i jepni sektorit të ujit për të ofruar shërbime më cilësore për konsumatorët e ujësjellësit.
KRU “Hidromorava” nga viti i kaluar përballet me thatësinë për shkak të mungesës së ujit në burimet kryesore të saj, mirëpo falë ndihmës dhe bashkëpunimit me organet komunale, veçanërisht me Ju z. Kryetar, kemi arritur të ofrojmë furnizim të qëndrueshëm me ujë. Kemi patur mbështetjen tuaj në hapjen e puseve në fazën emergjente, përkrahje për implementimin e projektit për impiantin e ujërave të zeza dhe kolektorëve, dhe mbështetjen për ndërtimin e digave të reja në zgjidhjen përfundimtare të problemit të furnizimit me ujë për rajonin e Gjilanit deri në vitin 2025.
Z. Kryetar
Ju lutemi pranoni mirënjohjen dhe falenderimet tona më të përzemërta. Me këtë rast ju urojmë shumë suksese në punën tuaj për të mirën e banorëve të Gjilanit.
Menaxhmenti i KRU “Hidromorava” SH.A.
06 shtator 2020
Gjilan