Komiteti për menaxhimin e emergjencave për preventimin e përhapjes së Covid-19, ka vlerësuar gjendjen në 24 orët e fundit, në Komunën e Gjilanit.
Kreu i Komunës, Lutfi Haziri, ka thënë se ekipet komunale dhe ato regjionale po i vizitojnë në vazhdimësi të prekurit, duke shtuar se gjendja e të prekurve është e mirë.
“31 familje i kemi në vetizolim, ndërsa një rast në Klinikën Infektive, i cili ka ardhur nga Suedia. Ndërkaq, mbrëmë jemi njoftuar që një qytetar i yni i kthyer nga SHBA, ka rezultuar pozitiv”, ka thënë Haziri, pas takimit,
Ai ka kërkuar nga qytetarët që ta shfrytëzojnë kohën e daljes, dy herë nga 120 minuta, por që kjo të bëhet me masa mbrojtëse.
“Mos jep e as mos merr shërbim pa dorëza e maska. Mos shko e as mos prano mysafirë edhe më tutje. Është e vërtetë se kjo situatë na ka lodhur të gjithëve, por nuk kemi alternativë tjetër, pos kujdesit të shtuar”, ka porositur Haziri.
Ndërkohë, Haziri ka njoftuar se po vazhdojnë t’i mbështesin rastet me gjendje të rëndë ekonomike dhe sociale, me pako ushqimore e higjienike.