(2L ONLINE) – Kryetari i Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri së bashku me udhëheqësin e Njësisë për Kulturë, Rini dhe Sport, Bujar Haziri, kanë pritur sot në takim kryetarin e Shoqatës së Miqësisë Franko-Shqiptare me seli në Francë, Tahir Shabani, i cili shoqërohej nga piktorja gjilanase Magbule Xhemaili.
Në këtë takim kryetari Haziri e ka falënderuar z. Shabani për kontributin e tij të pakursyer në ndihmën dhënë Kosovës, e veçanërisht për rajonin e Anamoravës.
Mërgimtari Tahir Shabani, i cili vije nga rajoni i Anamoravës dhe jeton dhe punon në Francë, është shprehur se është në konsultim me donatorët nga Franca dhe Gjeneva dhe pritet që të fillojnë të investojnë në Gjilan e në qytetet të tjera dhe në këtë mënyrë do të zhvillohet ekonomia.
Poashtu, kreu i kësaj shoqate Tahir Shabani nënvizoi faktin se po shqyrtohen mundësia që institucionet kulturore, sportive e të lëmive të tjera, të vizitojnë Francën e Zvicrën për të shkëmbyer përvojat më të mira të këtyre shteteve.
Nga ana e tij, kryetari Lutfi Haziri tha se e çmon shumë kontributin e mërgimtarëve tanë që jetojnë në Europë, të cilët e kanë mbajtur gjallë dhe vazhdojnë ta mbajnë ekonominë e kësaj ane, duke e ditur se zyrtarisht 32 për qind e gjilanasve jetojnë dhe veprojnë në shtete perëndimore.
Gjatë takimit u bë e ditur se prioritet në të ardhmen është zhvillimi i një ndeshje futbolli në Gjilan, në mes të ekipit përfaqësues nga Anamorava si dhe ekipit të famshëm francez “Evian”. /2L ONLINE/