Kryetari i Degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në Gjilan, Lutfi Haziri, në konferencën për media të së shtunës, ka vazhduar me kritika të shumta ndaj qeverisjes komunale për mos punë dhe mos angazhim për t’i zgjidhur problemet jetike të qytetarëve.
Kryetari Haziri ka pohuar se qeveria komunale e harroi qytetin, fshatin, projektet madhore të Stanishorkës, Mirushës, stadiumin e aspekte të tjera.
“Është harruar qyteti, fshati, Stanishorka, Mirusha në dy drejtime për t’u vazhduar, janë harruar të gjitha problemet. Kjo administratë merret me politika ditore e partiake, është e humbur në amulli, në mjegullën e aktiviteteve të tyre, por që nuk janë në funksion të qytetarëve të Komunës”, tha kryetari z. Haziri.
Ai tha se vështirësitë e përmendura nga kjo administratë nuk janë të qëndrueshme.
“Vështirësitë e përmendura nga kjo administratë nuk janë të qëndrueshme. Deri sot nuk e kemi asnjë projekt të ri të filluar. Nuk e kemi debllokimin e asnjë aktiviteti të rrugëve regjionale, që janë pjesë e mundimshme e punës time personale dhe administratës së kaluar me BERZH-in, në ndërtimin e infrastrukturës regjionale në Gjilan”, tha z. Haziri.
“Nuk e kemi asnjë aktivitet të infrastrukturës nga ana e qeverisë në bashkëpunim me Komunën, siç është hapja e korridorit deri te bunari i Përlepnicës dhe vazhdimi në drejtim të Kmetocit deri te banja. Nuk e kemi fazën e dytë të punimeve në Fidanishte, e të mos flasim për hapjen e rrugëve të reja”, shtoi kryetari i Degës së LDK-së në Gjilan, z. Lutfi Haziri.
“Autostrada ka mbetur peng i një aksi i cili është thënë që është nën hetime dhe i cili i ka ngulfatur këto punime dhe përfundimin e tyre. Nuk kemi punime as në stadium dhe me këtë rast është për të ardhur keq për të dy skuadrat e Gjilanit, të cilat janë krenaria jonë dhe të cilët nuk po mund arrijnë asnjë lojë ndërkombëtare ta realizojnë. S’e kemi asnjë aktivitet te palestra e qytetit dhe infrastrukturës tjetër sportive”, tha Haziri.
Kryetari i Degës së LDK-së tha se ka kaluar koha e muajit të mjaltit dhe delirit që ata e kanë përjetuar deri në këtë fazë.
“Duhet me ecë për toke, duhet t’iu kthehen punëve dhe duhet të ballafaqohen me problemet serioze që Komuna i ka për t’u zgjidhur. Ka mjete buxhetore, ka programe të mobilizuara financiare, ka kushte të mira për punë”.
Haziri ka folur edhe për Konventën programore e sektoriale të Degës, e cila do të mbahet me 2 korrik dhe e cila do të ndahet në tri pjesë.
“Do të rikthehemi në Konventën e 2 Korrikut, e cila do të punojë në tri seanca, ku përfshihet paraqitja e raporteve të të gjitha aktiviteteve brenda një viti, raportin e Degës, raportin e zgjedhjeve lokale, raportet e Komisioneve profesionale dhe të Forumeve, për të vazhduar me debatin në fokus “Roli i LDK-së në opozitarizëm”, e për ta përmbyllur me paraqitjen e politikave kadrovike. Do të jetë një rifresh dhe një ristart jashtëzakonisht i rëndësishëm”, ka përfunduar Haziri. /2LONLINE/