“Prej një komune e cila ishte shembull edhe për komunat tjera për nga investimet, në një komunë të territ e mjerimit. Disa lagje nuk kanë energji elektrike më shumë se 30 orë”, ka thënë, në një reagim të tij, Lutfi Haziri, kryetar i LDK-së së Gjilani.
Lutfi Haziri, i cili do të jetë edhe kandidat i këtij subjekti për deputet në Kuvendin e Kosovës, në zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, në një konferencë për media, ku në krah kishte edhe disa prej kandidatëve tjerë për zgjedhjet e shkurtit, ka thënë se për gjilanasit e Anamoravën, pos mungesës në investime dhe përjashtimit nga kujdesi i qeverisë e i Komunës, tash moskujdesi dhe përjashtimi shpërfaqet edhe në të drejtën e elementare për të pasur së paku rrymë.
“Terri dhe ftohti po e rritë depresionin politik e ekonomik, që nuk ia kemi pasur për borxh. Kjo është ‘mirëseardhja’ për mërgimtarët, në një shesh të dekoruar me drita e shtëpiza, por pa ndriçim e ngrohje. Kjo përkthehet me atë që LDK në Gjilan e ka thënë në vazhdimësi: kur shkelet vullneti dhe e drejta me tërë fuqinë e arrogancën e pushtetit nga padija e mospuna”, thotë tutje Haziri i LDK-së.
Ai tha tutje se Qeveria qendrore sonte e viziton Gjilanin, në organizimin e gastronomisë “Kënaqësi n’fundvit”. “Sigurisht, sot në këtë event, qytetarët së bashku me të do ta manifestojnë PAakënaqësinë n’fundvit, pakënaqësinë gjatë gjithë këtij mandati”.
“Fundvit n’terr për Gjilanin, edhe një vit i humbur, madje mandat i humbur për komunën tonë! Ky nuk është fundvit i keq, por mandat i keq e dëshpërim. Qytetarët dhe bashkëatdhetarët nuk ia patën për borxh mbylljen e vitit në këtë mënyrë denigruese”, ka thënë Lutfi Haziri. /2LONLINE/