Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, gjatë inaugurimit të fabrikës për prodhimin e vajit ushqimor “Floil”, ka thënë se familja Mustafa dhe pronarët e kësaj kompanie, me punësimin e mbi 600 punëtorëve, janë heronjtë e gjallë të ditëve të sotme.
“Të gjithë impresionohemi kur hyjmë në këtë gjigant. Familja Mustafa është sinonim i të bërit biznes në këtë fuqi ekonomike në Gjilan dhe në Republikë. E mbaj në mend kur është qitë betoni parë në “Fludi” dhe për pak më shumë se një dekadë, është impresive kjo arritje kaq e madhe me sjelljen e brendit të ri “Floil” që Shijon më Mirë në tavolinat tona”, ka thënë kryetari Haziri.
Me këto suksese të prodhuesve vendor, kryetari i Gjilanit tha se po bëhemi Made in Gjilan, paralelisht me Made in Kosova.
“Ky sukses i familjes Mustafa që neve na bënë krenarë, vërtetë është dëshmia më e mirë se baza dhe e ardhmja zhvillimit ekonomik është mbështetja e sektorit privat me të gjitha kapacitetet ligjore. Jam i nderuar për mbështetjen e madhe që më herët ka ofruar Qeveria Mustafa dhe Komuna e Gjilanit në vazhdimësi, duke krijuar lehtësira në të bërit biznes. Mbi të gjitha, si i pari i qytetit, jam i lumtur që ky është njëri prej tregimeve të mëdha të qytetit tonë. Po bëhemi Made in Gjilan, paralelisht me Made in Kosova. Suksese për jetë e mot”, ka thënë Haziri.
Ndërkaq, drejtori general i kompanisë “Fluidi”, në kuadër të së cilës operon edhe “Floil”, Fejzulla Mustafa, ka thënë se vlera e investimit në këtë kompani është mbi 7 milionë euro.
“Floil” është një kënaqësi unike shumë e shijuar me vlerat e saj ushqyese. Këto vlera e bëjnë “Floil” që të jetë më i mirë ne treg vendor dhe rajon. “Floil” është një recetë gjermano-italiane, ku është punuar gjatë në përsosjen e saj me vlera ushqyese nga ekspertët. Ky vaj dallohet nga tjerët sepse nuk ka kolesterol, nuk ka aromë gjatë fërgimit në kuzhinë, por ka yndyrë bimore më shumë se të gjithë të tjerët”, ka thënë Mustafa.
Përndryshe, në këtë takim kanë marrë pjesë edhe përfaqësues të institucioneve lokale dhe qendore, sikurse edhe ata nga Kosova Lindore dhe biznesmenë nga e disa shtete të botës.