Vit të suksesshëm në realizimin e projekteve infrastrukturore e ka cilësuar kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, vitin 2019 të qeverisjes së udhëhequr nga ai me shpenzim të mjeteve prej 92 për qind, por që sfidues sa i përket problemeve me ujin e pijshëm si pasojë e mungesës së reshjeve.
“Në veçanti, jam tepër i lumtur që investimet në qytet dhe fshatra kanë shkuar në parimin e barazisë sa i përket buxhetit”, ka deklaruar Haziri.
Programi më i madh në këtë vit është impianti i ujërave të zeza, i cili kap vlerësën prej 26 milionë euro, ka nënvizuar Haziri, teksa ka përmendur edhe investimet tjera.
“Gjilani është qytet që shquhet për bashkëpunim të madh me donatorët. Një projekt që financohet nga qeveria e Kuvajtit është ai i Fshatit Social në vlerë prej 2.5 milionë euro. Derisa tek banimi social, këtë vit i kemi ndërtuar 26 shtëpi për familjet në nevojë së bashku me donatorët. Pra, iu kemi bërë krahë dhe lehtësim këtyre rasteve”, ka thënë Haziri.
Si pjesë e projekteve të mëdha për këtë vit është përfundimi i Çarshisë në pjesën e jugut dhe fillimin e ndërtimit të shetitores 1.2 kilometërshe në pjesën e veri, që kap koston e afro 1 milion euro.
“Çarshia do të jetë e gjatë si total prej 3.2 kilometra dhe krejt kjo mund të kalohet për 15 minuta, duke eliminuar nevojën e përdorimit të veturave”, tha Haziri.
Një projekt tjetër i rëndësishëm që e ka përmendur Haziri është rruha katër korsi Gjilan-Livoç i Ulët, e cila tashmë është asfaltuar në dy pjesët e mbetura, duke i dhënë pamje tjetër Gjilanit.
“Ndërsa, lajmi i mirë është që është nënshkruar kontrata me BERZH’in për ndërtimin e rrugës prej Livoçit të Ulët në drejtim të Kllokotit, ndërkohë ka theksuar se pritet nënshkrimi i marrëveshjes për ndërtimin e rrugës Gjilan-Gllamë-Bresalc”, ka thënë kreu i Gjilanit.
Te bujqësia, Komuna në bashkëpunim me donatorët dhe me Ministrinë e linjës i ka mbështetur fermerët përmes subvencioneve në shumën prej 1 mililon euro, derisa te shëndetësia, përpos investimeve nëpër qendra të mjekësisë familjare, është ndërtuar edhe Ambullanta e Mjekësisë Familjare në Llashticë.
Një projekt teje i rëndësishëm, sipas Hazirit, është ndërtimi i Tregut të Gjelbër, i cili pritet të përfundojë në vitin e ardhshëm, ndërkaq ka theksuar se një angazhim të madh Komuna e ka pasur edhe tek tregjet mobile, duke iu dhënë mundësi prodhuesve t’i shesin produktet tyre nëpër tezga moderne.
“Paralelisht, kemi punuar dhe po vazhdojmë të punojmë edhe në rindërtimin e Stadiumit të Qytetit, ndërkaq në përfundim është stadiumi ndihmës për nevoja të FC Drita, i cili kap koston e afro 600 mijë euro. Ndërkaq, po vazhdojnë punimet në palestren në Zhegër”, ka nënvizuar kryetari Haziri, teksa ka përmendur edhe aspektin e partneritetit publiko-privat.
“Në kuadër të programit të Partneritetit Publiko Privat (PPP), gjatë kësaj periudhe jemi në proces të realizimit të tri studimeve të fizibilitetit për projekte në fushën e turizmit, energjisë, infrastrukturës biznesore, sportive etj”, tha ai.
Kryetari Haziri ka thënë se sfidë për këtë vit ka qenë problemi me mungesën e ujit të pijshëm si pasojë e thatësisë, duke thënë se menjëherë ka formuar task-focën për përballimin e kësaj problematike.
“Janë marrë të gjitha veprimet konkrete dhe e dimë sakt problemin afatshkurtër, afatmesëm dhe afatgjatë. Deri tash kemi arritur t’i buxhetojmë këto veprime tona dhe shpresojmë që me bashkëpunim, sikur deri tani, ta përballojmë këtë situatë”, ka përfunduar Haziri.