Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, pas mbledhjes së Komitetit për menaxhimin dhe parandalimin e përhapjes së Covid-19, në bazë të analizimit të gjendjes në 24 orët e fundit, ka apeluar qytetarët për kujdes maksimal, vetizolim për të gjithë të infektuarit dhe njëkohësisht përgjigje në fushatën e vaksinimit.
Gjatë adresimit në konferencën për media të së hënës, kryetari Haziri bëri të ditur se gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar katër vdekje, që është numri më i madh deri më tani i regjistruar brenda një dite, ku edhe u ka shprehur ngushëllim familjeve që i humbën më të dashurit e tyre.
“Gjendja po vazhdon të jetë jashtëzakonisht e rënduar, me numër të madh të të infektuarve që ka arritur në 1412 qytetarë të Gjilanit që janë të prekur. Të infektuarit lutem që të vet-izolohen dhe të vet-përmbahen nga dalja jashtë shtëpisë apo edhe kontaktit me anëtarët e tjerë të familjes që të mos e bartin infeksionin. Policia e Kosovës dhe inspektorët e Komunës së Gjilanit do të kujdesen për zbatimin e protokollit për të gjithë të infektuarit, prandaj ju lusim që të qendroni në shtëpi. Gjendja në Spitalin e Përgjithshëm është rënduar, tani atje gjenden 97 pacientë nën kujdesin e vazhdueshëm të mjekëve. Koordinimi me institucionet private të shëndetësisë do të jetë më i madh për monitorimin e gjendjes në bashkëpunim me institucionet e rendit”, ka thënë kryetari Lutfi Haziri.
Ai, po ashtu, ka bërë të ditur se Komuna e Gjilanit është duke bërë të gjitha përgatitjet edhe për fillimin e procesit të mësimit dhe monitorimin e personelit arsimor nëse është vaksinuar apo jo, në të kundërtën, sipas tij, pa dëshminë për vaksinim ose pa test të përditshëm anti-COVID-19, nuk tolerohet që mësimdhënësi të dalë para nxënësve.
“Apeli që mësimdhënësit, personeli teknik dhe stafi tjetër të vaksinohen, është në fuqi dhe ju lutemi që t’i shfrytëzoni këto ditë sepse arsimtari nuk mund të marrë ditarin në dorë nëse nuk është i vaksinuar, ose nëse nuk e ka testin që kërkohet nga organet e shtetit. Kjo është për parandalim të çdo lloj rreziku për bartje të infeksionit te moshat e reja. Janë mbi dy mijë arsimtarë që punojnë në tri nivele arsimore. Gjithashtu, rekomandimi tjetër është edhe për stafin e hotelerisë që të vaksinohen, para masave strikte që do t’u nënshtrohemi së shpejti, kjo që të mos ndalen shërbimet e tyre dhe lokalet të mos mbyllen”, ka thënë kryetari Haziri.
Gjilani deri sot ka vaksinuar 36 mijë e 670 qytetarë, por duhet të vazhdohet me intenzitet edhe më të madh për vaksinim në imunizimin kolektiv, theksoi Haziri.Përndryshe, në bazë të statistikave të shëndetësisë primare, konfirmohet se në dy javët e fundit ka një rritje të kërkesave për vaksinim, përkundër që termine brenda ditës të lejuara nga platforma e-Kosova të cilën e menaxhon Ministria e Shëndetësisë, janë vetëm 1200.
Kryetari Haziri theksoi, gjithashtu, se Komuna e Gjilanit ka ofruar gatishmërinë për hapjen e tri qendrave të reja për vaksinim, por ende nuk ka një konfirmim nga Qeveria e Kosovës për një hapje të mundësisë për vaksinim të numrit më të madh të qytetarëve. /2lonline.com/