(2L ONLINE) – Nën organizimin e Këshillit Organizativ të Universitetit “Kadri Zeka” në Gjilan, është mbajtur sot tryeza shkencore me temën “Nga shqiptarët ose serbët deri tek shqiptarët dhe serbët”, ku panelist ka qenë edhe kryetari i Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri i cili në fjalën e tij para të pranishmeve, tha se për normalizimin e raporteve mes shqiptarëve dhe serbëve është dashur të organizohen 3 konferenca të mëdha ndërkombëtare sic është Rambuje, Viena dhe Brukseli.
“Ne e dimë faktin se jemi të vetmit që për 15 vitet e fundit janë organizuar 3 konferenca të mëdha ndërkombëtare apo tri momentume të mëdha të krijuara për shkak të rrethanave që bashkësia ndërkombëtare dhe bota e fuqishme është marrë me Kosovën. E para është Rambuje, e cila është marrë me ndaljen e luftës, procesi i dytë i madh është Viena, e cila poashtu është marrë me rregullimin e raporteve, të marrëdhënieve dhe zgjidhjen e statusit të Kosovës në raport me Serbinë dhe raporti i tretë është Brukseli, i cili po merret me riparimin e lëshimeve Rambujesë, të Vjenës dhe të lëshimeve të historisë në përmirësimin e këtyre marrëdhënieve, jo nga këndi që kemi qejf ne ta shohim, por nga këndi i gjetjes së një rruge ku ky raport normalizohet mes shqiptarëve dhe serbëve”, tha kryetari Haziri.
Në këtë tryezë shkencore, kreu i Komunës së Gjilanit ka nënvizuar faktin se sa e brishtë është situata mes serbëve dhe shqiptarëve kur një ndeshje futbolli në Beograd e kthen tensionimin e këtyre raporteve.
“Për 15 vite me qenë në fokus të tri proceseve të organizuara ndërkombëtare dhe të mos mund të përmirësohet në atë shkallë sa një ndeshje futbolli në Beograd e kthen situatën dhe tensionimin e raporteve në atë pikë sa që të gjithë mendojmë se në çfarë niveli, apo cila mund të jetë rrethana që shkakton krizë në ndërtimin e këtyre marrëdhënieve kjo flet shumë. Është parë që është shumë e brishtë dhe në asnjë mënyrë e qëndrueshme dhe e sigurt, përkundër gjesteve të mira, përkundër angazhimeve konkrete, vizitave të ndërsjellta, thellimit të bashkëpunimit ekonomik etj., dhe edhe më tutje është e varur në vullnetin dhe dëshirën dhe angazhimet e grupeve nacionaliste me ndikim jashtëzakonisht të madh në këto raporte”, është shprehur kryetari Haziri.
Zgjidhja e këtij problemi, sipas kryetarit të Komunës së Gjilanit është ajo territoriale mes shqiptarëve dhe serbëve, duke shtuar se ky është problemi historik që e kemi pasur mes vete.
“Se si e shoh unë zgjidhjen e këtij problemi, kjo tashmë është botërisht e qartë, unë e shoh në zgjidhjen e problemeve territoriale të serbëve dhe shqiptarëve sepse kurrëfarë raporti tjetër historik nuk kemi pasur pos sikur të gjithë tjerët edhe raporti ynë ka qenë problem i territorit dhe vazhdon të mbetet ky problem. Nëse arrijmë territorialisht të pajtohemi, nëse arrijmë t’i ndajmë në mënyrë paqësore dhe t’i zgjidhim problemet, atëherë besoj që nuk ka asnjë motiv dhe asnjë arsye në të ardhmen që këto raporte me qenë në marrëdhënie të luftës. Kjo gjendje na solli në këtë pikë që t’i zgjidhim problemet e luftës, të të zhdukurve, të dëmeve etj. Njerëzit duhet të jetojnë në atë pjesë të territorit ku i takon historikisht, është pjesë e saj dhe është shumicë. Duke vendosur një parim të qëndrueshëm, i cili nuk lejon që të vrapohet pas territorit për motive historike, por të vrapohet pas territorit apo zgjidhjen e problemeve për motive të të ardhmes. Kjo është zgjidhje evropiane sepse në Europë nuk ka asnjë lloj zgjidhje europiane që shkon për motive territoriale dhe nuk ka asnjë mundësi që zgjidhja e problemit europian në Ballkanin perëndimor të akceptohet me një mal problemesh, duke dashur të jetohet në trysni përderisa bartë problemet që ky raport i ka. Definitivisht, mendoj që lindja dhe veriu i Kosovës duhet të trajtohet në raport të zgjidhjes problemit të normalizimit të marrëdhënieve mes shqiptarëve dhe serbëve, pra fjala është për shqiptarët e Kosovës dhe të lindjes së Kosovës që nuk e kanë zgjidhur problemin, e më pastaj është hapi i dytë se si shqiptarët dhe serbët në Ballkan ta gjejnë paqen mes veti dhe të ndërtojnë marrëdhënie partneriteti e bashkëpunimi në Europë”, ka përfunduar kryetari Haziri. /2L ONLINE/