Kandidati i LDK-së për kryetar të Gjilanit Lutfi Haziri ka thënë që mund të dalë në debat televiziv me Qemajl Mustafën, vetëm në rast që ai kërkon falje për moslejminin e mbajtjes së manifestimit të LDK-së në stadiumin e Gjilanit.Haziri në një intervistë për “Interaktiv” të KTV-së, ka thënë që ai ka fituar bindshëm dhe që akuzat e Qemajl Mustafës ndaj tij për vjedhje industriale të votave janë thjesht një arrogancë.
“Është arrogancë e një njeriut që i ka prerë kabllot për transmetimin e emisionit ‘Jeta në Kosovë’, gjuhë denigruese, ata që kanë votuar janë njerëz të respektueshëm. LDK-ja i beson policisë së shtetit, Prokurorisë dhe nëse kjo prokurori zbardh parregullsi do të respektohet, ka thënë Haziri.
Më tutje Haziri tha se Mustafa domosdoshmërisht do që të nxjerrë një fajtor për humbjen e tij, pasi që ai disa ditë më parë, e kishte akuzuar liderin e partisë së tij.
“Ai fillimisht e ka akuzuar partinë e vet, e pastaj e akuzon LDK-në, në këtë mënyrë kërkon të gjejë fajtor. Ai ka kërkuar votë me ndërmjetësim, e në këtë formë vota nuk fitohet në Gjilan”, ka thënë Haziri.
Sipas Hazirit, Mustafa i kishte uruar atij fitoren e raundit të parë në prezencen e një gazetari në RTK.
“Ky proces është pranuar në tërë Kosovën, legjitimitet të cilin ai e ka pasur në pikëpytje në zgjedhjet e kaluara”, ka thënë më tutje Haziri. /tribuna/